Drejtori Sela vizitoi Agjencinë e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore

“Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela, vizitoi Agjencinë e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (MALLMED) ku realizoi takim pune me drejtoreshën Visara Riza.

Në takim, drejtori Sela theksoi se AZGJ-ja gjithmonë do të mbetet e hapur për bashkëpunim, përfshi edhe MALLMED-in si një organ jashtëzakonisht i rëndësishëm i administratës shtetërore, qëllimi i të cilit është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve nëpërmjet zbatimit të rregullativës dhe mbikëqyrjes efikase në fushën e prodhimit dhe qarkullimit të ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore.

Takimi ishte një mundësi për t’u informuar rreth zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në punën e MALLMED-it. Njëkohësisht, drejtori Sela u interesua edhe rreth mundësisë që qytetarët të cilët janë konsumues të barnave dhe pajisjeve mjekësore, udhëzimet për përdorim të mund t’i marrin edhe në gjuhët zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Drejtoresha Riza shprehu kënaqësi për takimin dhe shfrytëzoi rastin për ta informuar Drejtorin Sela për situatën aktuale në MALLMED duke shfaqur interesimin për vazhdimin e dialogut ndërmjet dy institucioneve.” – zyra për informim, Agjencia për Zbatimin e Gjuhës