Drejtuesit e Burgut të Shutkës ftojnë Reis’ul-Ulemanë në vizitë

Më 30 dhjetor, 2019, në Burgun e Shutkës, në Shkup, ka qëndruar Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, me ftesë speciale të Zëvendësdrejtorit Sadush Arifi. Në një pjesë të takimit të punës ka qenë i pranishëm edhe Drejtori i këtij institucioni ndëshkimor-përmirësues, Esat Rahiq. INP Shutka është ndërtuar në vitin 1968 dhe aty dënimin me burg e mbajnë personat me dënim primar dhe personat e dënuar për kundërvajtje, si dhe ata dënimi i të cilëve shkon deri në 6 muaj, të kategorisë recidiviste.
Institucioni ndëshkimor-përmirësues ka planifikuar realizimin e Projektit për risocializim dhe riintegrim të të burgosurve brenda mureve të Burgut dhe Reis’ul-Ulemaja personalisht, bashkë me institucionin fetar, BFI-në, janë shprehur të gatshëm për të marrë pjesë dhe për ta dhënë kontributin e tyre maksimal në të mirë të të burgosurve, por dhe të gjithë qytetarëve të tjerë të Maqedonisë së Veriut. Projekti parasheh që kjo të bëhet përmes ligjëratave, fletushkave, të literaturës dhe të takimeve me të burgosur.
Nga Zv/Drejtori Arifi është marrë informacioni se Burgu i Shutkës është duke e përgatitur vendin për faljen e namazeve (një lloj mesxhidi brenda mureve të INP-së) dhe për këtë BFI do të duhet të angazhojë një teolog. Kjo kërkesë është pranuar me kënaqësi nga ana e Reis’ul-Ulemasë.
Pastaj Kryetari i BFI-së, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, ka pasur një takim edhe me disa të burgosur, i cili është zhvilluar me pyetje-përgjigje. Ata kanë kërkuar që t’u dërgohet literaturë fetare islame (Kuran etj.), ndërsa kreu i myslimanëve e ka marrë përsipër që institucioni i BFI-së për një kohë sa më të shkurtër ta sigurojë literaturën e nevojshme dhe gjithçka tjetër që do të jetë në kuadër të Projektit të INP Shutka për risocializim dhe riintegrim të të burgosurve. Literatura që do të sigurohet do të jetë në gjuhët shqipe, maqedonase, turke dhe boshnjake. Të burgosurit që janë takuar me Reisin kanë qenë të kategorisë: gjysmë të lirë dhe gjysmë të mbyllur.
Zëvendësdrejtori Sadush Arifi ka falënderuar Kryetarin e Bashkësisë Fetare Islame të RMV, i gatshëm që në këtë drejtim të ketë sa më shumë takime, të më shumë niveleve, gjithnjë në interes të realizimit të Projektit të Burgut të Shutkës për risocializim dhe riintegrim të të burgosurve.