E vrau dhe nisi ta digjte, ky është autori i krimit makabër (FOTO)

18 vjeçari Devis Hoti është i dyshuari për vrasjen dhe tentimin e djegies së trupit të Flamur Duçit mëngjesin e djeshëm në Mborje të Korçës.

Viktima dhe Hoti ishin komshinj me njeri-tjetrin.

I riu kishte qenë i dënuar edhe më parë për një krim të ngjashëm.

Burime zyrtare bëjnë me dije se Hoti ka qenë i dënuar më parë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.

48-vjeçari u ekzekutua mëngjesin e djeshëm pranë godinës së biznesit të tij. Sipas dëshmitarëve, Duçi u gjet i therur me thika dhe me shenja djegieje në kokë.

Dyshohet se pasi e vrau, i riu ka tentuar të djegë trupin e viktimës.

Nga të dhënat paraprake, policia dyshon se kemi të bëjmë me një sherr banal mes viktimës dhe autorit, i cili ka nisur aty për aty teksa 48 vjeçari po shkonte të hapte biznesin e tyre.

Njoftmi i policisë:

Ndalohet 1 shtetas, i dyshuar si autor i vrasjes së 48-vjeçarit, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme në fshatin Mborje.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 19.12.2019, ku në fshatin Mborje, pranë banesës dhe dyqanit të tij u gjet i vrarë shtetasi F.D., 48 vjeç, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e autorit të dyshuar të ngjarjes shtetasit:

D.H., 18 vjeç, banues në fshatin Mborje, i dënuar më parë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë, bazuar në hetimet e kryera në lidhje me ngjarjen e mësipërme, ka urdhëruar ndalimin e këtij shtetasi pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Vrasja me dashje”.

Vijojnë hetimet për sqarimin e mëtejshëm, dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.