E zbulon Vuçiq: Deri në fund të vitit të njohim Kosovën, Ahtisari Plus dhe të hyjmë në BE

Presidenti serb ka folur hapur për atë se çfarë e pret Serbinë gjatë këtij viti lidhur me Kosovën. Ai ka thënë se deri në fund të vitit, Serbia do të detyrohet të marrë diçka që do ta ketë të vështirë ta refuzojë, por as nuk do të jetë në gjendje ta pranojë.

Mediat serbe shkruajnë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka zbuluar se Serbia do të përballet me ultimatum për çështjen e Kosovës këtë vit, ku do t’i ofrohet plani Ahtisari Plus, një lloj autonomie për serbët e Kosovës, në këmbim të njohjes së shtetit të Kosovës, plus me garanci që të anëtarësohet në BE, përcjell Reporteri.net.

“Jam i bindur që deri në fund të vitit do të marrim diçka që vështirë se do të mund ta refuzojmë, por as nuk do të mund ta pranojmë”, Vuçiç dje në programin Morning TV Prva.

Një ndërmjetës i afërt me Berlinin

“Me siguri do të vihet ultimatumi para nesh. Do të na japin garanci për anëtarësimin në BE, që ne ta njohim Kosovën. Por është mjaft e sigurt që unë kurrë nuk kam pranuar ultimatume, pasi është e sigurt që do të përpiqem të gjej zgjidhjen më të mirë për popullin serb, por gjithashtu të përpiqem të mos rrezikoj paqen dhe stabilitetin dhe të mos e çoj Serbinë në luftë”.

Presidenti i Serbisë gjithashtu tha se e di se cila do të jetë iniciativa e të Dërguarit Special të BE-së, si dhe e din se kush do të jetë në atë pozicion, por që ai ende nuk mund ta bëjë atë publik, dhe se ai me siguri do të jetë një njeri afër Berlinit. Vuçiq gjithashtu tha se do t’i pyeste njerëzit për këtë.

Uashingtoni dhe Berlini

Vuçiq tha se ai ka gjasa të ketë një takim me Sekretarin e Shtetit të SHBA’së, Mike Pompeo dhe Zëvendës Presidentin Mike Pence. Vuçiq tha se nuk është e lehtë të flasësh me amerikanët.

“Megjithëse kam një përvojë të shkëlqyeshme, kam edhe ankth dhe frikë. Kam edhe ankth dhe frikë dhe para se të shkoj te Merkel, shqetësohem për çdo fjalë. Për të mos bërë një gabim dhe për të marrë sa më shumë që mundemi dhe të humbasim sa më pak që duhet”, tha Vuçiq.