Edhe një herë për mediat e Tiranës

Nuk e kemi ditur që kaq të pa edukatë e paskemi pasur një pjesë të medies televizive në Shqipëri, e cila pikërisht tani kur duhet të jetë në nivel të përgjegjësisë profesionale, ato kalojnë në trajta majmunërie të krijimit të fabulave të deformuara mediatike

Nga Emin AZEMI
Mediat pa etikë profesionale, janë si ato gardhiqet pa hunj që nuk mund të mbajnë as një glasë zogu. Ato jo vetëm që përplasen përtokë, pas erës më të dobët, por edhe të marrin në qafë, sepse mund të të zënë përfundi me amoralitetin e tyre.
Një televizion nacional i Tiranës, këtyre ditëve nuk po e ndal shoun paraditor, duke shfaqur shenja të qarta skizofrenie. Muzikë e brohoritje të lumtura që vinë nga studioja ku moderatori truhajvan luan rolin e një shoumeni, të rrëqethin me sasinë e pakontrolluar të sensit jonjerëzor e jo etik.
Tërmeti që goditi jetë njerëzish dhe zemra të përvëluara për humbjen e më të dashurve, nuk paraqet kurrfarë pengese për këto media (një shumicë e tyre) që përfundimisht e kanë humbur të drejtën morale për të qenë transmetues publik të zërit të audiencës. Nuk e kemi ditur që kaq të pa edukatë e paskemi pasur një pjesë të medies televizive në Shqipëri, e cila pikërisht tani kur duhet të jetë në nivel të përgjegjësisë profesionale, ato kalojnë në trajta majmunërie të krijimit të fabulave të deformuara mediatike.
Një pjesë e drejtuesve të emisioneve televizive, duke aktruar gjithologët, bëjnë pyetje të kota. Një pjesë tjetër, e ndërprenë bashkëbiseduesin në momentin kur nuk duhet të ndërpritet, një i tretë thërret njerëz koti në studio që flasin për lisa e fshesa.
Tani kur mobilizimi profesional duhet të kap kuotat më të larta edhe të raportimit etik, disa televizione të Tiranës pa fijen ndërgjegjes njerëzore po i shndërrojnë debatet në shou burleskash provinciale, ku dominon shundi televiziv me gjithë llumin e njerëzve që duan t’i shërojnë komplekset duke ofenduar tjetrin.
Edhe në situata të jashtëzakonshme, siç po kalon këto ditë Shqipëria dhe gjithë shqiptaria, televizionet nuk mund ta gjejnë veten brenda parametrave të duhur profesional. Si duket shumicën këtyre mediave nana i ka ba veç për shou dhe për debate tallave dhe të pamësuar me situata të jashtëzakonshme, ato nuk po munden assesi të adaptohen. Assesi të heqin dorë nga maniret e këqija të shndërrimit të studiove televizive në stalla hajvanësh, ku të gjithë flasin përnjëherë, ku asnjëri nuk e dëgjon tjetrin dhe ku drejtuesi i emisionit bëhet i gjallë vetëm në momentet kur duhet paralajmëruar blloku publicitar.
Ndoshta ka ardhur koha për një standard më të lart profesional e etik në mediat e Shqipërisë, dhe kjo mund të ndodhë nëse disa rrjete gjigante ndërkombëtare, siç janë CNN, Euro News, Al Jazeera vazhdojnë të etablohen më fuqishëm në ambientin mediatik atje, duke nxjerrë nga përdorimi këtë lavanderi oligarkësh, që dikush po iu thotë televizion (çdo respekt përjashtimeve). (koha.mk)