EMRI DHE VEPRA E PROF.RAMIZ ABDYLIT, NXITJE PËR PRURJET E REJA NË HISTORIOGRAFI

Sot na ka bërë bashkë prof.dr. Ramiz Abdyli dhe 143 vjetori i Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Jo rastësisht po e vendosi në një korrelacion emrin profesorit me këtë ngjarje të lavdishme të popullit shqiptar, për arsye se ishte pikërisht ai që injektoi në formimin tim nervin e reagimit profesional ndaj proceseve historike që ishin të lidhura ngushtë me Shkupin dhe ngjarjet që e bënin dikur këtë qytet një amfiteatër të madh ku ballafaqohej Lindja dhe Perëndimi, robëria dhe liria, lufta për shtet kombëtar dhe ikja në periferi të atij shteti.

Prof. Ramiz Abdyli paraqet aktualisht një prej emrave më emblematik në historiografinë shqiptare, vepra e të cilit do të mbetet një prej dhuratave më të çmuara në trashëgiminë tonë të shkruar. Ai pati një qëndrim konstant ndaj të vërtetës historike, duke i dhënë asaj bazën e argumentimit shkencor, që e mbështeti në hulumtime disadekadëshe.
Fryt i atij hulumtimi janë edhe dy veprat që posa kanë dalur nga shtypi, të cilat do ti promovojmë sot, e që paraqesin një prurje mjaft ambicioze nga pena e shkathët e prof. dr. Ramiz Abdylit, me çka ITSHKSH në fakt po e vazhdon traditën që ai e kishte trasuar në heqjen e pluhurit të harresës nga ngjarjet e rëndësishme kombëtare, siç ishte Dega e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Shkup, pastaj Klubi Bashkimi i Shkupit etj.

Në fakt këto dhe vepra të tjerë do të jenë edhe bërthama e një kapitulli të ri që do të shkruhet mbi Historinë e shqiptarëve të Maqedonisë, i cili do t’i bashkëngjitet një projekti më të madh mbi Historinë e shqiptarëve, ku emri i prof.dr. Ramiz Abdylit do të jetë një zë artikulues i shkencave albanologjike dhe një referencë e dobishme për studiuesit e nesërm që do të merren me historinë e Dardanisë dhe epiqendrën e saj Shkupin.

Ajo çka më lidh mua me prof. Ramiz Abdylin ka të bëjë drejtpërdrejt me ndikimin që ai kishte në formimin tim profesional, që nga ligjeratat e para universitare, të cilat ishin një frymëzim i vërtetë mbi ngjarjet e bujshme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të kryengritjes së Dervish Carës dhe çlirimin Shkupit nga kryengritësit shqiptarë.

Për një historian janë shumë të rëndësishme shkallët prej nga ngrihet ai në karrierë. Mund të them se jemi me fat që gjenerata ime patëm prof. dr. Ramiz Abdylin shkallën më të sigurt për t’u ngjitur në pikat e vrojtimit për të shikuar të vërtetat historike me sy më objektiv. Misioni i tij ende nuk është përmbyllur, sepse për një historian të kalibrit të prof.dr. Ramiz Abdylit misionet janë të plota vetëm atëherë kur rrugën e tij do ta trasojë një plejadë historianësh të rinj, me ambicie e këndvështrime të reja shkencore profesionale.

Uroj që kjo rrugë të jetë sa më e frytshme me prurjet e reja, ndërkohë që emri dhe vepra e prof. Ramiz Abdylit të vazhdojnë të jenë frymëzim për historiografinë shqiptare, e cila do të shkruhet sipas standardeve që ai i vendosi tash e disa dekada.

Shkup, 10 qershor, 2021

Prof. dr. Skender Asani- drejtor i ITSHKSH