Familja Gjuraj me shumë të ftuar, kremton Shën Sebastianin në New York

Veprimtari i shquar shqiptar, me origjinë nga Peja e Dukagjinit në Kosovë, biznesmeni dhe humanisti Mhill Gjuraj me familje në prani të miqve e veprimtarëve të shumtë shqiptarë, organizuan në restorantin Eastwood Monor, Nju Jork, festën e krahinës, Shën Sebastianin.

Lutja për festën u mbajt në prani të dhjetëra mysafirëve të ftuar nga z. Mhill Gjuraj, aktivist i çështjes kombëtare dhe vatran, i cili këtë festë të familjes, fisit dhe krahinës së tij, e organizoi në shenjë nderimi për këtë shenjtë.
Mirëseardhjen dhe pritjen e mysafirëve të shumtë, e bënte z. Mhill Gjuraj, së bashku me Babanë e tij dhe bashkëshorten Age.
Përpos miqve dhe dashamirëve të shumtë, aktivistë të mirënjohur të çështjes kombëtare, merrnin pjesë edhe shumë familjar të z. Gjuraj, nipa e mbesa, krushqi, miq, shokë, vatranë e dashamirë të Familjes Gjuraj.
Tradita e Familjes Gjuraj, gjatë historisë së familjes, kanë festuar shenjtorin Shën Sebastianin, ashtu siç e kanë festuar në atdhe.
Ambientet ku mbahej ceremonia, ishin të zbukuruara sikur i përket festës, me shërbim, cilësi të jashtëzakonshme të ushqimeve të gatuara nga shtëpia e z. Gjuraj, ashtu siç jehonin edhe tingujt e harmonishëm të muzikës së përzgjedhur për festë.
Në këtë festë, ishin të pranishëm miq e bashkëveprimtar të çështjes kombëtare Luz Thaçi, Lekë e Vera Përlleshi, Pashk e Tereze Maksuti, dhe Agim Kelmendi me bashkëshortet dhe shume personalitete tjera.
Shën Sebastianin si martir i përvuajtur dhe përhapës i frymës së krishterimit, me ndikim edhe në trojet tona etnike, është pajtori i zjarrfikësve, policisë, ushtrisë, si dhe shërbimeve shëndetësore. Ai u martirizua në Romë, më 20 janar 304.
Lutja e të pranishmëve përcillte mesazhe të ruajtjes së traditës, të fesë dhe kombit, i cili dallon nga kombet tjera, jo vetëm me lashtësi, por edhe me martirizim që është i pashembullt te popujt tjerë.
Të pranishmit, kanë uruar dhe përgëzuar z. Mhill Gjuraj dhe Familjen Gjuraj, për këtë festë të krahinës, e cila shënohet me 20 janar, dhe është i evidentuar edhe në kalendarin e festave katolike në nivelin global.
Në këtë festë, u dha edhe një lajm i mirë sepse organizatori i darkës kushtuar shenjtorit Shën Sebastian, z. Mhill Gjuraj, së shpejti do të inaugurojë stacionin televiziv shqiptar. Ky televizion, po themelohet me qëllim të informimit për ngjarjet në Kosovë, Shqipëri dhe komunitetit shqiptaro-amerikan duke përhapur e promovuar fjalën e lirë dhe lajmin e vërtetë, njoftim i cili u përcoll nga të pranishmit me duartrokitje.

Gëzime e të mira paçi për mot e jetë, ishte urimi i mysafirëve për z. Mhill Gjuraj, ndërsa thuhej se edhe festat bëhen madhështore kur shqiptarët janë bashkë dhe festojnë bashkë.

Z. Mhill Gjuraj, përgëzoi dhe falënderoi mysafirët e çmuar duke theksuar se detyra e ruajtjes së traditës së shqiptarit mbetet e shenjtë pavarësisht ku ai jeton, duke shtuar se Amerika na ka bërë më të mirë dhe më të fortë. Gëzuar festa e Shën Sebastianit!