Familja, miqtë e komuniteti përcollën Dalip Grecën në banesën e përjetshme

Sokol Paja

I mbështjellë me flamurin kombëtar, arkëmorti i trupit të vdekur të shpirtit të pavdekshëm të Dalip Grecës u përcoll në banesën e përjetshme. Miq, familjarë, shokë e bashkëpunëtorë të ngushtë me lot në sy, dhimbje e trishtim takuan për herë të fundit Dalipin e mirë që u nda shumë shpejt nga jeta tokësore dhe dorëzoi shpirtin krijuesit të gjithësisë. Familjar model, gazetar model, patriot i madh e veprimtar deri në çastet e fundit pa u ndalur asnjë moment. Dalipi do mbahet mend gjithmonë për shërbimet e veçanta ndaj komunitetit e miqve. Besnik, i papërtueshëm, miqësor, i ndershëm, i përkushtueshëm, kurajoz e mbi të gjitha idealist. Ai mbylli jetën tokësore me nder e dinjitet. Qëndroi qytetar dhe njeri model. Ai ngjalli Diellin, i dha dimension Vatrës dhe kudo ku ishte, kishte shpirtin vullkan për të ndryshuar dhe përmirësuar gjithçka i prekte dora e shihte syri. Ai u largua shumë shpejt si për të na kujtuar rëndësinë e jetës, shoqërisë e miqësisë që ti duam e respektojmë përpara se të na vrasë mungesa. Dalipi nxori në dritën e Diellit figura të shquara të historisë së Vatrës e Diellit. Ai luftoi fort për çështjen kombëtare. Kryetari i Vatrës Elmi Berisha në fjalën e lamtumirës theksoi cilësitë e veçanta që kishte Dalipi si gazetar, vatran e patriot. Mark Mrnaçaj kujtoi me emocion episode nga përditshmëria e jetës e këshillat e vyera të Dalipit. Nipi i Dalipit Banushi, shprehu me dhimbje fjalët: ” Do të kujtojmë e do të duam gjithmonë gjyshi”. Në përfundim të lamtumirës, djali i Dalip Grecës, Dorjani pasi shprehu mirënjohje atyre që ndanë dhimbjen me familjen Greca, kujtoi babain e çmuar dhe cilësitë e jashtëzakonshme që ai kishte. Në përkujtim të jetës dhe trashëgimisë që la Dalip Greca, familja shtroi drekën e lamtumirës te restorant Ciao në Eastchester, New York me pjesëmarrjen e miqve e bashkëpunëtorëve të afërt. Në emër të familjes falenderoi sekretarja e Vatrës Nazo Veliu.
Dalipi la trashëgimi të çmuar dhe një mungesë të thellë te familja dhe të gjithë ata që e njohën. Dritë i bëftë shpirti në paqen e përjetshme.