Fatmir Besimi: BDI është mishërim i gjeneratave, fitorja jonë do të jetë bindëse!

Tetova sot ishte vatra e fushatës zgjedhore të Bashkimit Demokratik për Integrim, për zgjedhjet e 15 Korrikut, ku në prani të strukturave të degës, të aktivistëve të shumtë, qytetarëve dhe kandidatëve për deputetë dhe simpatizantëve është hapur zyrtarisht fushata nga Shtabit Lokal Komunal i degës së BDI-së, për Tetovë.

Të pranishëm ishin kryetarja e komunës së Tetovës znj. Teuta Arifi, kandidatët për deputet nga njësia zgjedhore numër 6, Florin Besimi, Bajram Rexhepi dhe Fitore Ziberi, si dhe shefi i shtabit qendror pranë BDI, z. Fatmir Besimi.

Në fjalën e tij, z. Fatmir Besimi, potencoi se çdo herë, në çdo parë zgjedhje kemi dalë më të suksesshëm. Ai potencoi se BDI ishte avangardë e popullit shqiptar, sepse ju printe situatave dhe rrethanave kur të tjerët as që kanë guxuar të mendojnë.

Z. Besimi theksoi se kur dikujt iu është dukur ëndërr, atë BDI e ka realizuar.

“Edhe ideja për kryeministrin shqiptar, është ide e mëhershme, nga kryetari Ali Ahmeti, nga një kongres i mëhershëm. Nga ajo kohë, ajo ide u konkretizua pas 10 vjetësh, me idenë për kryeministrin shqiptar”, theksoi z. Fatmir Besimi, duke shtuar se puna e BDI-së mbështet në gjenerata, në veçanti nga viti 2001 e këndej, duke e quajtur kthesa e madhe.

Ai potencoi çështjen e perspektivës së rinisë, duke cekur “ja shihni listat për deputetë, degët, strukturat e BDI, shtabit të BDI-së, është ndryshim me perspektivë, ku kemi një mishërim të traditës, përvojës, urtësisë dhe guximit të energjisë të së ardhmes”.

“Këtë përparësi, e ka vetëm Bashkimi Demokratik në këto troje. Ne këtë përfaqësim, këtë përvojë, shumë lehtë do ta transformojmë në fitoren e 15 korrikut, fitore që kërkon përkushtim nga ne, pa asnjë hamendje”, ceku në fjalimin e tij, z. Fatmir Besimi.

Me ne janë ata që jo vetëm e duan, por edhe i besojnë vizionit të BDI-së, theksoi z. Besimi, duke shtuar se BDI-së i duhet disiplina ushtarake, dija avangarde, energjia rinore, e gjithë kjo të transferohet në vota. Besimi duhet të transferohet në vota, kjo është përgjegjësi e BDI-së, potencoi z. Fatmir Besimi, për 20 vitet e ardhme.

Sfidat e kohës duhet bashkëbiseduar, ceku z. Fatmir Besimi, duke shtuar se kërkohet edhe kujdes gjatë këtij procesi të rëndësishëm, për arritjen e fitores së madhe të 15 Korrikut, duke i uruar të gjithë me fjalët “na priftë e mbara”.