Faton Ahmeti: 15 Korriku është pikëfillimi i realizimit të synimit tonë, Kryeministri i parë shqiptar

Faton S. Ahmeti, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së, njëherësh shef i Analitikës në Shtabin Qendror Zgjedhor, mbajti fjalim në tubimin elektoral në Tetovë, ku të pranishëm ishin Teuta Arifi, Shefe e Shtabit Zgjedhor në Tetovë dhe Fatmir Besimi, Shef i Shtabit Qendror Zgjedhor, Kandidat i BDI-së për Parlament dr. Florin Besimi, organet drejtuese të nivelit qendror e lokal, anëtarë të shtabeve zgjedhore, rini, anëtarë e simpatizantë të BDI-së.

Z. Faton Ahmeti theksoi se rinia në veçanti është me fat që ka për prijës, z. Ali Ahmeti, vulën e të cilit e mban çdo e arritur për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, andaj, të rinjve duhet rikujtuar ato të arritura që edhe ata të jenë krenar.

“BDI është partia më e strukturuar në hapësirën shqiptare, ajo përfaqësohet në të gjitha vendbanimet shqiptare, nga Velesi deri në Ohër. Ky organizim është dëshmi për fitore”, theksoi z. Ahmeti, duke cekur se të gjitha matjet e institucioneve prestigjioze, vendore e ndërkombëtare, BDI-në e nxjerrin fitimtare të 15 Korrikut.

“Në këto zgjedhje kemi motiv shtesë. Në 18 vjetorin e shënimit të themelimit, lideri ynë doli me idenë se ka ardhur koha për Kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoni. Kjo ide, nuk është ad hoc si ide, është ide e cila buron shumë më herët”, ceku z. Ahmeti, duke përmendur Kongresin e 2-të, të vitit 2009, z. Ali Ahmeti, numëroi 12 pozita të larta shtetërore që udhëhiqeshin nga kuadro ekskluzivisht maqedonase.

“Asnjë kuadër nga ato pozita nuk ishte me kombësi tjetër vetëm maqedonas, e lëre më shqiptarë. Pas 10 viteve, disa nga ato pozita ose janë udhëhequr, ose udhëhiqen nga shqiptarët. Ne arritëm të kemi ministrin e parë të mbrojtjes shqiptar, ministrin e parë të punëve të brendshme shqiptar, si dhe kryeparlamentarin e parë shqiptar”, ceku z. Faton Ahmeti.

Ai ka theksuar se “me ato kuadro që na përfaqësuan në ato nivele, edhe një herë e dëshmuam se shqiptarët e këtushëm, kanë kuadro cilësor, kanë kuadro që me profesionalizëm dhe dinjitet, dinë të ushtrojnë, çdo pozitë të lartë në këtë vend. e në këtë frymë, edhe kryeministri i parë shqiptar do të bëhet”.

Ai e falënderoi rininë për organizimin që kishin bërë dhe ka ftuar rininë të punojë me të njëjtin vrull, me të njëjtin elan, të punojnë edhe më tepër, ashtu që 15 korriku të jetë dita e fitores, dhe të jetë pikëfillimi i realizimit të idesë së fundit të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, që ta bëjmë Kryeministrin e parë shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.