Feministet kërkojnë ndalimin e prostitucionit, reagojnë prostitutat: E bëjmë me dëshirë

Një peticion është dorëzuar në parlamentin holandez që kërkon që prostitucioni të bëhet sërish ilegal.  42 mijë nënshkrime u mblodhën dhe kësisoj pa çare politikanëve të Holandës do t’iu duhet të debatojnë për prostitucionin – në vendin që ka ndër ligjet më tolerante në botë për këtë çështje.

“Unë jam e pa çmim” është emri i një fushate në mediat sociale të atjeshme. Pjesërisht të frymëzuar nga pikëpamjet feministe e të krishtera, grupi ka postuar në instagram foto që tregojnë moton si më sipër bashkë me fjalë të tjera si “çka nëse do të ishte motra jote?” dhe “prostitucioni është të dyja, edhe shkaku edhe pasoja e pabarazisë”. Sidoqoftë, në kundërpërgjigjje për këto imazhe një person shkroi: “Unë vullnetarisht punoj si prostitutë. Ka shumë njerëz si unë. Kjo fushatë do ta bëj punën time shumë, shumë më të rrezikshme.”

Në Holandë, blerja dhe shitja e seksit është legale për aq sa përfshin “seksin mes njerëzve të moshës madhore”. Por aktivistet e reja thonë që duhet bërë më shumë që të mbrohen gratë e lëndueshme. Ato thonë që Holanda duhet ta marrë si frymëzim Suedinë dhe vendet e tjera nordike sepse ky model ka bërë që më pak njerëz të shkojnë e të blejnë seks, vendi të bëhet më pak atraktiv për trafikuesit me qenie njerëzore, më pak njerëz të shfrytëzuar nga prostitucioni.