Fetva nr.8 Për namazin e xhumasë

Fetva nr. 8

Pyetje: A lejohet falja e namazit të xhumasë, para se të ketë hyrë koha e namazit të drekës, respektivisht para zenitit ?
Përgjigje:
Të gjithë dijetarët islam janë të njësuar se namazi i xhumasë është Farzi Ajn (detyrim individual) për ata që i plotësojnë kushtet e namazit të xhumasë .
Koha e namazit të xhumasë është koha e namazit të drekës që fillon me kalimin e diellit nga zeniti dhe përfundon me kohën e namazit të iqindisë. Nga kjo nënkuptohet se namazi i xhumasë nuk mund të falet para se të hyjë koha e namazit të drekës, e nëse falet para kësaj kohe namazi i xhumasë është i pa vlefshëm, sepse kryerja e namazit të xhumasë brenda kohës së përcaktuar, është kusht i vlefshmërisë së namazit të xhumasë.
Ata të cilët nuk kanë falur namazin e xhumasë, ose për ndonjë arsye tjetër siç është rasti i mos faljes së namazit të xhumasë në kohën e përcaktuar, kanë për obligim (farz) që të falin namazin e drekës.

Shkup, 05. Shkurt, 2020
Mexhlisit për Fetva
pranë Rijasetit të BFI-së Shkup.