Fjalimi i veteranit të UÇK-së Frashër Oseku në organizimin e ambasadës së Kosovës në Stokholm

Unë i falënderohem zonjës ambasadore për ftesën. Kjo është hera e parë që dikush nga ambasadat tona na fton me fol për UÇK-në.

Kjo ishte çka unë fola:

Zonja e zotërinj,
miq e dashamirë,
shokë e shoqe të idealit

Unë jam veteran i dy luftërave, siç e dini. Kam shërbyer si vullnetar në UÇK në Koshare, ku kam marrë edhe plagë. Mandej, dy vjet më vonë, kam shkuar vullnetar edhe në Maqedoni, ku kam shërbyer në rreth të Gostivarit.

Unë do të flas shkurt, se neve veteranëve nuk na ka hije të flasim për veten. Unë i falënderohem zonjës ambasadore për ftesën. Kjo është hera e parë që dikush nga ambasadat tona më fton me folë për atë kohë. Më duket se diplomatët tanë do vite kishin turp vite me përmendë emrin UÇK. Diplomatëve u pëlqen me mendu që ata vetë bëjnë paqen. E s’u ka andja me pranu që paqe ka edhe në varr. E se drejtësinë robit ia garanton veç çizmja e ushtarit.

Unë sot i kam heqë çizmet e mia, e kam ardhë këtu si zotni me këpucë. Jam në ambasadë të Republikës së Kosovës, një institucion që u krijua nga lufta e UÇK-së. Këtu është edhe ambasadori i Shqipërisë. Sa kisha çizme, e pata dhënë betimim e UÇK-së, se do të luftoj gjer në vdekje për bashkim kombëtar. Unë ende i rri besnik atij betimi. Por tash po shpresoj se ky bashkim ndoshta bëhet edhe me këpuca. Uroj që të bëhet ashtu: uroj që politikanët e diplomatët të përmbushim atë betim. Se mos me mbërri gjer aty me këpuca, një ditë duhen fëmijët, nipat e mbesat tona, me mbathë çizmet prapë.

Ju falemnderit për ftesën tuaj, zonja ambsadore. Ju falemnderit tanve që nderoni kujtimin e UÇK-së. Kur të shkoj herën tjetër te varret e dëshmorëve në Koshare, do t’u flas shokëve e shoqeve që prehen aty për këtë mbrëmje. Do t’u them se sakrifica e tyre çmohet, e betimi i tyre kujtohet, kudo që ka shqiptarë nëpër botë. E di se do të gëzohen, ashtu si ndihem i gëzuar sonte unë.

Ju falem nderit!