Flasin nga VV: Vjosa Osmanin do ta pranonim për presidente

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, duke folur për marrëveshjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka thënë se partia e tij nuk do të dëshironte një president partiak, por nëse do të detyroheshin për këtë, atëherë nuk do të kishin fare problem, që presidente e vendit të jetë Vjosa Osmani.

Konjufca në RTV Dukagjini, ka thënë se do të pëlqenin opsionin A, që marrëveshja të bëhej për qeverinë, dhe presidenti të ishte një figurë konsensuale.

Por sipas tij, nëse kjo nuk prodhon marrëveshje në asnjë formë, atëherë do të duhej të rinegociohej marrëveshja e koalicionit dhe postet, duke shkuar me opsionin B, dhe në këtë rast VV do ta pranonte Vjosa Osmanin si presidente.

Konjufca e ka spjeguar pse Osmani do të bënte për presidente, e ndoshta jo plotë emra të tjerë në LDK.

Ai ka thënë se Kushtetuta e Kosovës i përcakton disa specifika se çfarë përfaqëson posti i presidentit dhe në VV mendojnë se emri i Vjosa Osmanit do të mund të ishte në rregull për këtë post, edhe si përfaqësuese e një uniteti.

“Kur po thoni që Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë kompromis që është ul në tavolinë me VV-në , unë them se kjo është e natyrshme, një mirëbesim I krijuar gjatë bashkëpunimit në opozitë. Ndërsa sa i përket Vjosa Osmanit, LVV ka shumë respek dhe Vjosa Osmani për Lëvizjen Vetëvendosje do të ishte e pranueshme për të gjitha pozicionet që kemi negociuar me LDK-në. Ne mendojmë se sa i përket Presidentit të jetë një figure mbipartiake. Duke përjashtuar Atifete Jahjgën të gjithë presidentët janë zgjedhë duke u ulur në tavolinë partitë politike. Por LVV mendon se duhet të krijohet një praktikë e re të ulen palët dhe të zgjidhet një President që është mbi palët dhe që përfaqëson unitetin”, ka thënë Konjufca.