Fushata për mosnjohjen e Kosovës, Albin Kurti i kujton taksën Serbisë: Të ndalë ofensivën

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar lidhur me raportimet për tërheqjen e njohjes nga Sierra Leone të Kosovës.

Ai ka thënë se pavarësisht vullnetit të qeverisë që ai drejton për heqjen e pjesshme të tarifës në lëndën e parë që importohet nga Serbia, në mënyrë që të krijohen kushtet për rifillim të dialogut dhe të ndërtimit të marrëdhënieve konstruktive të bashkëpunimit, qeveria serbe po i përgjigjet me intensifikim të fushatës së çnjohjeve së pavarësisë së Kosovës.

“I bëj thirrje Serbisë zyrtare që ta ndalë këtë ofensivë dhe të heqë dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës dhe shtetësisë së saj. Po ashtu, do të kërkoj nga faktorët relevantë ndërkombëtarë, në radhë të parë ShBA-të dhe BE-ja, si ndërmjetësues në procesin e dialogut, ta shtojnë trysninë mbi Serbinë që ta ndërpresë politikën armiqësore ndaj Kosovës”, shkruan Kurti në Facebook.

Ai ka theksuar se si kryeministër i Kosovës do të shqyrtojë me kujdes situatën e krijuar dhe do të veprojë konform interesave të vendit dhe qytetarëve të saj.