Gara për kryetar: Ahmeti e gjunjëzon Zaevin ?!

Partnerët qeveritar këtyre ditëve ndodhen përballë edhe një testi të raporteve midis tyre i cili më parë mund të përmbyllet me një kompromis e bashkim votash të përkrahësve të tyre sesa me dështim dhe shpartallim të votave në zgjedhjet për kryetar të ri të vendit.

LSDM-së dhe partnerëve të saj qeveritarë shqiptar do t’u duhet një pajtim për një kandidat të përbashkët për kryetar të vendit dhe bashkim votash nëse duan që të mposhtin kundër-kandidatin nga radhët e VMRO-DPMNE-së. E kundërta do ta lehtësojë dhe do të bënte të paevitueshëm fitoren e kandidatit nga partia më e madhe opozitare maqedonase.

Presioni dhe paralajmërimet e Ali Ahmetit, se nëse LSDM do të dalë me kandidat të vetin pa u konsultuar me partinë më të madhe shqiptare atëherë edhe BDI-ja do të dalë me kandidat të saj, bënë që Zoran Zaev të tërhiqet nga planet fillestare dhe të reflektojë drejt një kompromisi.

Të premten Zaevi paralajmëroi se ai po e ndryshon mendjen dhe se priten që të ketë konsultime me partitë shqiptare në koalicion, e pse jo edhe me ato në opozitë, për të gjetur një kandidat të përbashkët për 21 prill.

Por, megjithatë kandidati apo kandidatja e ardhshme në këtë skenar përsëri pritet që të jetë nga radhët maqedonase, nga radhët e LSDM-së apo nëse jo zyrtarisht nga radhët e saj, atëherë ndonjë kandidat i afërt me të por i pranueshëm për partitë shqiptare.

Arsyeja është e thjeshtë dhe ajo ka të bëjë me disponimin e votuesve dhe përkrahësve maqedonas të LSDM-së, apo thënë ndryshe mosgatishmërinë e votuesve dhe përkrahësve të saj që të përkrahin një kandidat shqiptar.

Në rrethanat e këtilla të krijuara ditëve të fundit, sipas të gjitha gjasave, votat e shqiptarëve pritet që të mobilizohen për një kandidat maqedonas dhe jo e kundërta, vetëm e vetëm që të mposhtet kundër-kandidati nga radhët e VMRO-DPMNE-së.

E nëse konsultimet e këtyre ditëve do të dështonin, atëherë secila nga këto parti mund të garojë me kandidat të vetin, gjë që do të ishte një dhuratë e madhe për VMRO-DPMNE-në.

Shpartallimi i votave të partive në pushtet dhe atyre shqiptare në opozitë vetëm se do ta lehtësonte fitoren e kandidatit të VMRO-DPMNE, ndoshta që në raundin e parë.

E nëse asnjë kandidat nuk do të shënonte fitore në raundin e parë, atëherë, LSDM do të duhej të luste partitë shqiptare për të mobilizuar elektoratin e tyre për ta përkrahur kandidatin e saj për në raundin e dytë.

Kështu që mënyra më e lehtë për të mos fituar kandidati i VMRO-DPMNE mbetet një kandidat i përbashkët me përkrahje të elektoratit të LSDM-së dhe partive shqiptare që në raundin e parë.