GARDHIQET TONA!

Shkruan: Mehmet PRISHTINA

Dy shtet si Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë më shumë pika të përbashkëta se sa dallime ndërmjet veti, në mënyrë që ekonomitë e dyja vendeve të përjetojnë zhvillim, i cili do të ishte shtylla kryesore e mirëqenies kombëtare. Është anakronike që gjithë ky zhvillim të jetë peng i monopoleve të caktuara të individëve, të cilët trupin e kanë në Kosovë e Shqipëri, kurse mendjen në Serbi. Ka ardhur koha që gardhiqet ndërmjet shqiptarëve të bien dhe në vend të tyre të ngrihen urat e bashkëpunimit ekonomik e kulturor

A ka të ngjarë që Kosova e Shqipëria të funksionojnë si një shtet i përbashkët, por pa pasur nevojë që ti fshijnë kufinjt ekzistues. Bashkimi shpirtëror e ekonomik i një populli është më esencial dhe historikisht shikuar ky lloj bashkimi gjithmonë i ka parapri bashkimit fizik.

Por, në realitet, sa po bashkëpunojnë Kosova e Shqipëria, të paktën në ato fusha ku bashkimi i tregut dhe i hapësirave kulturore, arsimore e shpirtërore do të ishin në funksion të cilësisë më të mirë të jetesës së qytetarëve të dy shteteve.

Prishtina e Tirana kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje, të dizajnuara si protokolle bashkëpunimi institucional, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi. Por shumica e këtyre marrëveshjeve kanë ngelur në letër, për arsye se ato nuk po zbatohen, ndërkohë që biznesmenët dhe prodhuesit e ndryshëm në të dy krahët e kufirit adresojnë ankesa të shumta sa i përket pengesave banale administrative e burokratike.

Funksionalizimi i tregut të përbashkët, nuk mund të bëhet përderisa monopolet e individëve të caktuar janë më jetike se interesat kombëtare. Mediat në Tiranë dhe Prishtinë kanë raportuar për disa raste ku biznesmenë të caktuar minojnë urat e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri për shkak të interesave të tyre personale që bien ndesh me frymën marrëveshjeve bilaterale që si synim kishin thellimin e bashkëpunimit brendashqiptar.

Në një Forum ekonomik mbarëshqiptar, që është mbajtur muaj më parë në Tiranë, në fokus të interesimit kanë qenë lehtësirat administrative tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ky Forum në fakt është ilustrimi më i mirë i raporteve ekonomike në mes të Shqipërisë e Kosovës, ku, ku në vend të tejkalimit të barrierave, aty kanë mbisunduar përpjekjet e një luftë tregtare.Sidomos kjo është vërejtur në barrierat tarifore dhe ato jo-tarifore që po hasin në eksport bizneset kosovare në Shqipëri.Autoritet në Prishtinë kishin paralajmëruar se nëse Shqipëria nuk heq barrierat, atëherë Kosova do të aplikojë masa reciprocitet ndaj Shqipërisë, duke paralajmëruar taksë 100 për qind për prodhimet shqiptare.

Ekspertët e çështjeve ekonomike kanë vërejtur se qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë më tepër janë kujdesur për efektet publicitare të këtyre marrëveshjeve, se sa për zbatimin tyre në praktikë. Madje disa prej tyre janë të mendimit se prodhuesit kosovarë e kanë pasur më lehtë të eksportojnë produktet e tyre në Gjermani e Zvicër sesa në Shqipëri.
Nëse i bëjmë një vëzhgim sipërfaqësor depërtimit të bizneseve kosovare në Shqipëri, do të vërejmë se disa prej tyre, sidomos në fushën e teknologjisë së informacionit, fillimisht kanë pasur një shtrirje në tregun e Shqipërisë, por pas një kohe të caktuar janë tërhequr.
Pastaj përvoja e keqe me përpjekjet për të bllokuar shitjen e patateve dhe produkteve bujqësorë të Kosovës në tregun e Shqipërisë, si dhe çështja e certifikatave të origjinës së mallit dhe të cilësisë që merren në Kosovë, kanë shkaktuar vështirësi të natyrave të ndryshme, që kanë ndikuar edhe në dyfishimin e kostos së prodhimeve kosovare për të depërtuar në tregun shqiptar.

Një dimension tjetër i nevojës për një bashkëpunim më cilësor ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, janë pengesat që kësaj të fundit i bëhen nga shtetet tjera të rajonit. Në shumë raporte mbi barrierat tarifore dhe jo tarifore që ekzistojnë në kuadër të vendeve anëtare të CEFTA-së, rezulton që Kosova është vendi më i diskriminuar sa i përket barrierave të vendosura nga këto vende. Si rezultat i këtyre barriera eksporti kosovar është më i ulëti në rajon, kurse fuqia ekonomike e tregut kosovar është reduktuar në kapacitete minimale krahasuar me tregjet tjera që privilegjohen në saje të bashkëpunimeve ndërshtetërore. Si pasojë e kësaj gjendjeje, Kosova viteve të fundit ka shënuar një deficit strukturor në rritje në tregtinë e saj rajonale, duke u bërë në këtë mënyrë destinacioni kryesor i importit për eksportet e anëtarëve të tjerë të CEFTA-s.
Sipas një studimi të kryer dy vite më parë për barrierat tregtare Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas, rezulton që : Në pjesën e Shqipërisë sipërmarrësi duhet të paguajë për të eksportuar: 23 euro agjencinë doganore;10 euro pagesën e terminalit; 15 euro pagesën për certifikatën fito sanitare; 22 euro skanerin; 72 euro në doganë.
Në pjesën e Kosovës – 30 euro agjencia doganore; 40 euro terminali; 68 euro certifikata fito-sanitare, Plus edhe tarifa e Rrugës së Kombit.
Dy shtetet si Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë më shumë pika të përbashkëta se sa dallime ndërmjet veti, në mënyrë që ekonomitë e dyja vendeve të përjetojnë zhvillim, i cili do të ishte shtylla kryesore e mirëqenies kombëtare. Është anakronike që gjithë ky zhvillim të jetë peng i monopoleve të caktuara të individëve, të cilët trupin e kanë në Kosovë e Shqipëri, kurse mendjen në Serbi. Ka ardhur koha që gardhiqet ndërmjet shqiptarëve të bien dhe në vend të tyre të ngrihen urat e bashkëpunimit ekonomik e kulturor.

Prishtinë, 19 shtator