Gjendja e sigurisë në Dibër dhe Qendër Zhupa stabile

Gjendja e sigurisë gjatë 24 orëve të kaluara në komunat Dibër dhe Qendër Zhupa, ku është shpallur gjendje krize, është e qëndrueshme. Nuk janë regjistruar tubime të qytetarëve në vende publike, prishje të rendit dhe qetësisë publike, vjedhje dhe nuk ka asnjë aksident të regjistruar të trafikut.

Nga MPB-ja informuan se këtë mëngjes rreth orës 07:00, në kuadër të aktiviteteve të efektivëve të policisë, që janë në përputhje me planin operativ për kontrollim të objekteve hotelierike dhe të tjera (markete, klube të natës, palestra, bastore), është regjistruar se një objekt hotelierik në rrugën “Vëllazërim bashkimi” në Dibër është hapur dhe nuk e ka respektuar ndalimin për punë.

Të gjithë personat juridikë që kryejnë furnizime, i përkujtojnë nga MPB-ja se duhet të paraqiten në Shtabin e krizës në telefonin fiks 046/831 051, pas së cilës automjetet e tyre, të shoqëruar nga policia, do të transportohen në ambientet tregtare në të dy komunat. Ata gjithashtu kujtojnë se hyrja lejohet vetëm për personat që janë banorë të komunave, ndërsa në të njëjtën kohë është pamundësuar, gjegjësisht rreptësisht është e ndaluar dalja e të gjithë qytetarëve që gjenden në zonën e dy komunave.

Nga Ministria e Brendshme u bëjnë thirrje qytetarëve që të zbatojnë në mënyrë rigoroze masat dhe udhëzimet e rekomanduara të miratuara nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit (COVID-19), ndërsa që të gjithë personat juridikë dhe fizikë t’i respektojnë në mënyrë rigoroze udhëzimet e zyrtarëve policorë. Të gjithë ata që shkelin rekomandimet e dhëna, nënvizohet në deklaratë, do të sanksionohen sipas neneve 205 dhe 206 të Kodit penal.