Gjimnazi shqip në Manastir, Ademi: Përgjigje pozitive nëse do të kemi kërkesë

Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, ka komentuar mungesën e gjimnazit në gjuhën shqipe në Manastir. Sipas tij, kushtetuta u garanton nxënësve shqiptarë mësimin në gjuhën amtare e për këtë ata duhet të drejtohen me një kërkesë në komunë. Më pas komuna bën kërkesë në MASh dhe sigurisht që edhe përgjigja do të jetë pozitive, garanton Ademi.

“Nëse ka kërkesë konkrete nga themeluesi apo komuna e Manastirit e bazuar në kërkesën e palëve të interesuara, nxënësve MASh do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së tillë dhe e njëjta do materializohet dhe jetësohet”,- u shpreh ministri i Arsimit, Arbër Ademi.

Dallimi i pagave të profesorëve, Ademi: Nuk ka dallime, USHKM ka mjete vetanake

Sa i përket akuzave të Sindikatës së Pavarur Akademike për dallimet në rrogat e profesorëve në universitetet publike, Ademi thotë se të gjitha universitetet publike marrin participim të njëjtë nga shteti. Vetëm Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” ka mjete vetanake të cilat i shpenzon për rritjen e pagave të profesorëve.

“Në UT janë pagat e njëjta, pa marrë parasysh se në cilin fakultet punojnë profesorët, njëlloj edhe në UEJL, edhe në Universitetin “Goce Dellçev”. Dallim të pagave ka në Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, i cili nuk është i integruar dhe aty fakultetet kanë të hyra vetanake dhe ata vendosin një pjesë prej të hyrave t’i shpenzojnë për të punësuarit e tyre”,- u shpreh ministri i Arsimit, Arbër Ademi.

Bashkëpunimi RMV–SHBA, Bërns: Përafrojmë vendet përmes shkencës

MASh angazhohet për ngritjen e cilësisë në arsim. Në vazhdë të këtij angazhimi ishte edhe nënshkrimi i protokollit për vazhdimin e bashkëpunimit në sferën hulumtuese shkencore me ShBA-të.

“Shkenca, teknologjia dhe inovacionet janë sferat ku do vijojë bashkëpunimi i ndërsjellë. Përmes bashkëpunimit të tillë i përafrojmë vendet tona, ShBA dhe RMV kanë bashkëpunim prej dy dekadash. Deri më tani ShBA ka investuar mbi 60 milion dollarë në sferën e arsimit”,- theksoi ambasadorja e ShBA-ve në RMV, Kejt Meri Bërns.

Bashkëpunimi në sferën e shkencës do t’i përfshijë të gjitha universitetet në vend.