Gjykata Kushtetuese rrëzon nismën për amnistinë, Ruskoska: Pranimi i nismës do të amnistonte të gjithë

Gjykata Kushtetuese nuk do të nis procedurë për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e Ligjin për Amnisti, me nismë të ish ministrit të Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov. Gjykatësit kushtetues me shumicë të votave nuk pranuan të vlerësojnë kushtetutshmërinë e Nenit 1 dhe Nenit 2 të Ligjit për Amnisti për të pandehurit, të akuzuarit dhe të dënuarit për ngjarjet e 27 prillit. Shumica e gjykatësve kushtetues konsideruan se Gjykata nuk mund të vihet në rolin e Kuvendit, i cili e miratoi Ligjin për amnisti dhe të përcaktojë se kë duhet ta amnistojë. Vetëm gjykatësi, Jovan Josifovski, ndante mendim ndryshe. Sipas tij, nëse për një ngjarje të njëjtë penale juridike jepet amnisti, ajo duhet të vlejë për të gjithë, pavarësisht statusit apo veprës që kanë kryer.

Prokurorja e Krimeve të Rënda, Vilma Ruskoska, konsideron se amnistia do të vlente për të gjithë nëse Gjykata do të rrëzonte nenet që përcaktojnë se kë përfshin amnistia dhe kë jo.

“Nëse bëhet fjalë vetëm për ndonjë nen të caktuar, ku saktësisht sqarohet se për kë vlen amnistia dhe për kë jo dhe nëse Gjykata Kushtetuese merr vendim se ai nen është jashtëkushtetues atëherë të gjithë të tjerët do të amnistoheshin.”,- tha prokurorja publike, Vilma Ruskoska.

Sela: s’duhet të jenë në liri ata që deshën likuidime

Deputeti, Ziadin Sela, i cili e pësoi më keq në ndodhitë e vandalizmit në Kuvend, konsideron se amnisti nuk duhej të kishte për askënd.

“Ato të cilët u amnistuan për ndodhitë e 27 prillit nuk e meritojnë që të jenë në liri dhe aq më pak në bankat e Parlamentit. Nuk mund të jenë të lirë njerëz të cilët kanë qenë pjesë e likuidimit fizik të deputetëve dhe likuidimit tim fizik dhe të jetë në burg njeriu që më ka shpëtuar kokën.”,- tha deputeti, Ziadin Sela.

Ish drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov, i dënuar me 18 vjet burg për ngjarjet e 27 prillit, ngriti nismë para Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se amnistia ishte diskriminuese, pasi përfshinte vetëm një pjesë të vogël të personave, të akuzuar dhe dënuar për këtë ngjarje dhe kështu I janë shkelur liritë dhe të drejtat e tij të garantuara me kushtetutë.