Gjykimi për rastin “Titanik”, Sead Koçan dha dëshminë e tij

Me dëshminë e afaristit, Sead Koçan, i cili vuan dënimin me burg prej 4 vjet e 8 muaj, vazhdoi gjykimi për parregullsitë zgjedhore në vitin 2011 dhe 2013 në rastin “Titanik”. Edhe përkundër pretendimeve të prokurores, Lile Stefanova, në aktakuzën e ngritur, Koçan kategorikisht refuzon se ai dhe firma e tij “Transmet” ka financuar ndonjëherë jashtëligjshëm fushatën e VMRO-DPMNE-së. Sipas aktakuzës së ngritur Kompania “Transmet” ka marrë pjesë në shlyerjen e shumës së pajisjeve dhe materialeve tjera promovuese të VMRO-së në fushatën zgjedhore në vitin 2011.
Në vazhdim të akuzës, Nikolla Gruevski dhe Martin Protugjer, përmes Mile Janakievskit dhe Kirill Bozhinovskit, përmenden se shlyerjen e kësaj shume e kanë bërë përmes kompanive “Transmet”, “Sekurikot” dhe një kompanie tjetër. Edhe përfaqësuesit e këtyre dy kompanive, Zdravko Koçishki dhe Zoran Acevski, dhanë dëshminë e tyre dhe thanë se nuk e kanë financuar VMRO-në.
Lëndën për rastin “Titanik” e udhëheq gjykatësi, Osman Shabani, ndërsa të akuzuar janë ish-kryeministri Gruevski, si dhe ish-ministra dhe funksionarë të tjerë të lartë të VMRO-DPMNE-së për shkelje të së drejtës së votës, të lirisë së zgjedhjes së votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrimin e materialeve zgjedhore dhe shpërdorimin e fondeve për financimin e fushatës zgjedhore të VMRO-së në vitin 2011 dhe 2013.