GOJËDHËNA E DJALOSHIT HOTIT DHE VAJZËS TRABOJNËS…

GOJËDHËNA E DJALOSHIT HOTIT DHE VAJZËS TRABOJNËS…e shkruar nga francezi Hyacinthe Hecquard në gjuhën frënge më 1858 dhe e përkthyer viteve të fundit në gjuhën shqipe.

Përsa i përket origjinës së fisit Hoti, ekzistojnë versione të ndryshme. Sipas versionit të At Gabrielit, prefekt i Kastratit, rrjedh nga njëri prej djemve të një të quajtur Keqi, që u strehua në territoret ku sot banon fisi i Piprit, për t’i shpëtuar persekutimit të turqve. Familja e tij, e shtuar shumë në numër, u detyrua të ndahej dhe të vendosej në zonat përreth. Pleqtë e këtij fisi tregojnë një tjetër gojëdhënë, të ruajtur në një këngë shqiptare, të cilën unë po e përcjell këtu:
“Mes maleve të larta dhe të shkreta, sot të njohura me emrin malet e Hotit. endej një djalë i ri rreth të tetëmbëdhjetave. Ecja e tij e sigurt e pa ngurrim të
krijonte përshtypjen se kishte qëndruar aty për një kohë të gjatë dhe njihte mjaft mirë edhe shtigjet më të ngushta. Njësoj si një kec, dhe po aq i shpejtë sa vetëtima, si të ndihej i kënaqur ngaqë po përballej me rreziqe të vërteta, ai kërcente nga njëri shkëmb i thepisur në tjetrin, ndërsa poshtë shtriheshin humnerat e thella, të cilave nuk mund t’ua shquaje dot fundin. Këto lëvizje dhe frymëmarrja e vështirë tregonin për dëshpërimin dhe delirin e tij. Ai ishte i dashuruar. por, për t’iu shmangur pranisë së idhullit të tij, për të mos e pare më atë, ishte strehuar në këto vende të panjohura dhe jomikpritëse. Një dyshim i pabazuar, një tradhti imagjinare, e kishin detyruar të merrte këtë vendim të kobshëm. Pushimi i tij ishte i shkurtër dhe i ndërprerë nga mendime të zymta; mëngjesi nuk e zinte kurrë duke fjetur. Me t’u ngritur, ai e kishte bërë zakon të lante sytë me ujin e kulluar dhe brisk të ftohtë të një rrëkeje të vogël që dilte nga një shkëmb, e rrethohej nga rrape të larta dhe të lulëzuara që shihen ende edhe sot. Vuajtjet e vazhdueshme të shpirtit, duke vepruar mbi trupin, ia kishin mpakur forcën; zgjimet e tij të përhershme, mbushur me imazhet e dashurisë së tij të tradhtuar, po i shkaktonin dobësi dhe një përgjumje, të cilën nuk mundej më ta mposhte. Një ditë, në mesditë, i mekur nga vapa, e kishte zënë gjumi nën hijen e atyre rrapeve, vetmia melankolike e të cilëve qetesonte shpirtin e tij të torturuar nga mendimet e urrejtjes dhe të hakmarrjes.
Kishte rënë qysh prej dy ditësh e dy netësh në një gjumë të thellë. Një vegim i ëmbël ndërpriste dhimbjen e tij. Ora, në trajtën e një vajze të bukur dhe dashamirëse, e gjunjëzuar para tij, po i fliste mirë për të dashurën e tij dhe po e siguronte për pafajësinë dhe dëlirësinë e zemrës së saj. “Nëse është kështu, iu përgjigj ai, unë e dua, ajo vazhdon të jetë e imja, le të vijë drejt zemrës sime e të pajtohet me mua, të më falë fajet dhe gabimet e shkuara, shkak i shqetësimeve dhe i vuajtjeve të saj. Le të vijë me mua, por për ta braktisur tokën e lindjes dhe këtë qytetërim ku lajkat prishin shpirtin e shkatërrojnë prirjet e mira të zemrave të thjeshta e të drejta. Le ta ndërtojmë banesën tonë në këto male të lumtura; le të bëhen për ne një atdhe i ri. Aty, të mbrojtur nga mendimet e këqija, nga ëndrrat e pandershme, të sigurt se natyra bujare do të na japë me bollëk gjithçka që na nevojitet, ne do ta shkojmë jetën në lumturi. Aty, frytet e dashurisë sonë do t’i shtojnë forcës së trupit pastërtinë dhe dëlirësinë e shpirtit dhe, pa dyshime e pendime, ne do t’i shohim se si shumëfishohen në gjirin e kënaqësive të dashurisë bashkëshortore. ” Mes ekstazës së shkaktuar nga ky vegim i bukur, ai
u zgjua, dhe ” çfarë surprize kur pa të fejuarën e tij, që, e gjunjezuar pranë tij, po i lutej, me lot në sy, që ta falte! Atëherë, pa kërkuar asnjë shpjegim, pa u munduar as të merrte vesh sesi arriti ajo ta gjente vendin ku fshihej ai dhe sesi kishte ardhur deri aty, ende i magjepsur nga ëndrra e vet, ai e mori për dore, e tërhoqi drejt majës së malit më të lartë të vendit dhe i tha:
“Le të shërbejë ky mal si strehë për bashkimin tone ligjor, o nusja ime! Le ta dëgjojë ai betimin tonë se do ta duam dhe do t’i jemi besnikë njëri-tjetrit; duke mbajtur emrat tanë, qoftë për pasardhësit monumenti që do të ruajë kujtimin tonë dhe të vendit që u bë djepi i racës së tyre, djepi ku të qarat e tyre foshnjore u shumëfishuan nga jehona e luginave dhe u shoqëruan nga poterja e bubullimave dhe murmurimat e përrenjve. “Prej kësaj gojëdhëne dhe për ta bërë më të besueshme atë, ky fis pretendon se themeluesi i tij quhej Hot, kurse gruaja e tij Trabojna (Trobaj), emër nga i cili, sipas tyre, rrjedh Traboini (Trabojna), njëri prej fshatrave kryesorë të tyre.
Hoti ka rreth katërqind e pesëdhjetë familje, që formojnë një popullsi prej mbi katërmijë frymësh (sipas regjistrimit të vitit 1854 të bërë nga ipeshkvi.

Në fotografi mali Ahishtë në Traboin të Hotit, ku ndodhi historia e shkruar dhe ku më datën 01.02.2020., do të zhvillojmë shtegëtimin me rastin e 8 vjetorit të OJQ Labeatët.