Grubi priti në takim znj. Elen Konve-Mure, zëvendëskryetare e Senatit francez

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Artan Grubi, mbajti takim të veçantë me znj. Elen Konve-Mure, zëvendëskryetare e Senatit të Republikës së Francës dhe anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme në Senatin e Francës, në shoqërim të ambasadorit të Republikës së Francës në Republikën e Maqedonisë së Veriut z. Kristijan Timonie, transmeton gazeta KOHA.

Në takim, z. Grubi, e përshëndeti ratifikimin e Protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO në Senatin e Francës, me ç'rast mbetet që marrëveshja të ratifikohet edhe nga Asambleja Nacionale në nëntor të këtij viti.

Ai, gjithashtu, e vlerësoi si shumë inkurajuese lajmin se këtë vikend është punuar në pallatin e Presidentit në Paris, dhe se së shpejti do të dalin me një metodologji të re për zgjerim e cila do t’u ofrohet vendeve – anëtare të BE-së, gjë që është një moment i ri, në të cilin mund ta ndërtojmë narrativin tonë në një kohë të vakumit ndërmjet mosmiratimit të vendimit dhe samitit të ri duke mos ditur se çfarë do të ndodhë në kuadër të BE-së.