“Hajt Se Krejt Kena Pjellë!” – Qysh Gratë Përbuzin Një Grua Shtatzënë A Lehonë!

Nga Shqipe Palloshi Zumberi

Ka një akt që është më fisniku, më madhështori dhe më i bukuri që mund të bëjë një qenie njerëzore, por që mendësia jonë e mbrapshtë e kthen në më të dhimbshmin e më të trishtin që mund të përjetosh. Nuk ka punë më të mrekullueshme që mund të bëjë një njeri, sesa të lind një njeri tjetër! Por, për shumicën e grave kjo shndërrohet në një vuajtje sa fizike, që është e natyrshme, aq edhe emocionale e psiqike, që s’është fare e natyrshme!

Dhe është absurd i llojit të vet! Sepse, duke qenë se thuajse secila grua e ka përjetuar shtatzëninë e lindjen e një fëmije, do të thoje se ato më së miri do ta kuptojnë një grua tjetër që po e kalon të njejtën, dhe do të ofrojnë përkrahje të pakusht për të. Por për çudi, tek ne ndodh krejt e kundërta! Pikërisht gratë që kanë lindur nga s’di sa fëmijë, janë ato që e nënvlerësojnë dhe e mohojnë mundimin e një gruaje që lind, e ulin vështirësinë e saj gjer në shtirje!

Dhe kjo është diçka që asnjëherë nuk kam arritur ta kuptoj si duhet. Pse vetë gratë e nënçmojnë aq shumë veprën e tyre më fisnike? Nuk më ka rastisur të dëgjoj ndonjë burrë që përpiqet ta minimizojë përvojën e shtatzënisë e lindjes. Madje, duke qenë se është diçka krejtësisht e pakonceptueshme për ta, kanë një dozë respekti e droje! Në të gjitha rastet kanë qenë gratë. “Hajt se nuk t’gjen kurgja!” “Çu livrit se nuk je tu e ba namin!” “Ihaa, punë e madhe, krejt i kemi kalu këto sende!” “Hajt se krejt kena pjellë!” Shprehje si këto dhe shumë të tjera dëgjon thuajse secila grua e re shtazënë a lehonë. Dhe në atë çast nuk ndjen diçka tjetër përveç gërdisë. Pastaj gërdia shndërrohet në habi. Pse gratë dinë të jenë kaq të pamëshirshme për llojin e vet! Ato e dijnë shumë mirë se kafshët pjellin, e njerëzit lindin. Por edhe gjuhën e zgjedhin me qëllimin të degradimit sa më të madh të përvojës së gruas në fjalë.

Ajo është shtatzënë për herë të parë. Me këtë i vijnë edhe plot simptoma e gjendje të reja. Nuk e di mirë se çfarë po ndodh me trupin e saj. Mund të bjerë në gjendje që nuk ngrihet dot nga krevati. Nuk mund të hajë asnjë lloj ushqimi në ekzistencë. I villet edhe prej ujit. Dhej vjen një mendje injorante dhe ia përplasë fytyrës një “Hajt se krejt kena pjellë!” duke pritur prej saj t’i shërbejë, por duke veshur fustanin 3 kilogramësh të nusërisë, e t’i qëndrojë në këmbë se përndryshe po i shfaq mosrespekt. Pret prej saj të marrë pjesë në të gjitha ndejat e gelingezmeqet që organizohen, se me rëndësi është ta luajë funksionin social, nuk ka rëndësi hiç se si ndihet ajo.

E nëse thua se ke gjasa për abort? “Hajt se krejt ka nja e kena hup!” Nëse edhe pas kësaj nuk luan mendësh, vërtet duhesh me qenë super-njeri.

Shpesh i abuzuari ka tendenca të shndërrohet në abuzues, por është koha që kjo dukuri të marrë fund. Një grua që i ka kaluar të gjitha këto vështirësi duke mos pasur përkrahjen as mirëkuptimin e të tjerëve, përfundon duke menduar se ajo ia doli me gjithë gazepet, do t’ia dalë edhe tjetra. E pastaj kjo e fundit e bën të njejtën me tjetrën. Kështu është krijuar zingjiri i abuzimit ndër-granor, që ka gjymtuar shpirtrat e jetët e grave. Asaj i kanë kërkuar ta asgjësojë dhimbjen, ndjenjat, veten e saj, dhe mbi të gjitha ta vendos rolin që duhet të luajë në familje e shoqëri, dhe për rrjedhor çdo akt kujdesi i një gruaje tjetër për veten e saj i duket mëkat i pafalshëm. Apo se vuajtja mund t’i duket më e lehtë njeriut kur e sheh edhe dikë tjetër duke e përjetuar të njejtën. Por nëse ti ke vuajtur dhe do që edhe dikush tjetër të vuajë, sepse ty nuk të ka gjetë kurgjë. Kjo do të thotë se, në fakt, ty të ka gjetë diçka! Nuk e di. Por gratë kudo rrëfejnë përvoja të trishta të shtatzënisë dhe lindjes, dhe kjo krejt për shkak të grave të tjera.

Njëra ka katër muaj që ka lindur dhe akoma nuk i është shëruar varra nga operacioni cezarian, sepse askush nuk e ka marrë mundimin të sakrifikojnë nga rutina e tyre, për t’i ndihmuar të pakten ta lajë foshnjën e saj. Tjetrës i është ndërprerë qumështi për shkak të stresit që i është shkaktuar, për shkak të shtypjes për t’u ngritur në këmbë sa më shpejtë. Se krejt kena pjellë de! Tjetra lexon sa ka nevojë një i posalindur të qetësohet në gjirin e nënës, edhe nëse nuk është i uritur. Por përballet me kritika se “veç n’gji po e man djalin”, çu ba najsen! Tjetra konsultohet me pediatrin që në fillim të sigurohet që fëmija nuk po qanë nga ngërqet e gazrat, e pastaj ta ushqejë. Por krejt farefisi e bën muhabetin se “Po e majke çikën n’dietë.” Dhe ec ruaji mendët e kokës pastaj!

Gra të dashura! Ne jemi mrekulli e Zotit në tokë. Jemi të zgjedhurat e Zotit për ta mundësuar vazhdimin e ekzistencës së llojit njerëzor. Jemi nënat e njerëzimit. Jemi vendi ku Zoti ka lëshuar më së shumti dashuri, kujdes e mëshirë. Jemi ne ato që e duhet ta ushqejmë e ta rrisim dashurinë e mëshirën. Prandaj, duajeni më shumë njëra-tjetrën. Përpiquni të kuptoni më shumë. Mos u bëni si robi që do të çlirohet nga robëria vetëm që ai vetë të bëhet robërues. Edukojini mendjet, fisnikërojini shpirtat dhe zbardhini zemrat! Ne jemi nëna. Nuk na ka hije diçka tjetër pos butësisë e kujdesit.