“Hajt se veç vajzë është”… Getoar Gashi

Ese nga Getoar Gashi

Po e filloj esenë me këtë nëntitull që e kam shkëputur prej një blogu S’bunker. Ndoshta për shumicën e lexuesve kjo thënie duket qesharake, por për fat të keq është një e vërtetë e hidhur.
Pabarazia gjinore ka ekzistuar gjithmonë dhe vazhdon të jetë e pranishme edhe në ditët e sotme. Faktikisht njerëzit lindin njësoj dhe rrjedhimisht ashtu do të duhej të vazhdohej jeta edhe më pas. Por në momentin që kuptohet gjinia e fëmijës, gjërat ndryshojnë tërësisht.
Si dukuri negative vërehet në shumë vende të botës, por natyra kosovare sikur është më e pamëshirshme ndaj viktimave të këtij fenomeni. E kur themi viktima, është fjala pikërisht për gruan. Për këtë gjë, burim kryesor mund të konsiderohet shoqëria patriarkale që ka mbizotëruar kohë të gjatë në shoqërinë tonë. E si rezultat i kësaj shoqërie, ballafaqohemi edhe me problematikën e raportit ndër breza. Me këtë mund të kuptojmë që dallimi në mes të vajzave dhe djemve fillon që nga planet e prindërve për ta, duke u bazuar në idenë që “vajzat janë për shtëpi të huaja” dhe nga këtu konsiderohet si qytetare e dorës së dytë.
Po lindi vajza e dytë në familje, lëre që nuk do të ketë urim për lindjen e fëmijës, por edhe do të ngushëllohesh.
Mund të tingëllojë ekstreme por në Kosovë, djali në raport me vajzën gëzon mbështetje me të madhe të prindërve, sa i përket investimit financiar dhe moral. Nga kjo rezulton që për vajzën kosovare, edukimi dhe karriera janë gjithmonë një hap më prapa se sa për djemtë. Madje ekziston mendimi që kapaciteti për sukses profesional varet nga gjinia.
Si problematikë tjetër mund të konsiderohet ndarja e trashëgimisë mes fëmijëve. Sipas disa kërkimeve, një përqindje e vogël e grave trashëgojnë pasurinë në mënyrë të barabartë me vëllezërit. Disa prej tyre heqin dorë nga trashëgimia familjare duke u lënë pjesën e tyre vëllezërve, e disa as që mund të heqin dorë sepse mundësia për trashëgimi nuk i është dhënë fare. Si arsyetim i gjithë kësaj, konsiderohen zakonet të cilat burojnë nga Kanuni i Lekë Dukagjinit. E gjithë kjo, në praktikë, do të thotë diskriminim i gruas në familje dhe si rrjedhojë, gruaja detyrohet të fillojë gjithçka nga zero, pa asnjë mbështetje, në mënyrë që të arrijë qëllimet e saj ose e kundërta, të jetë e varur financiarisht gjithmonë nga dikush tjetër, e në shumicën e rasteve nga bashkëshorti. Pra, gjithmonë një hap prapa, sepse edhe në këtë rast gruaja shihet në disavantazh kundrejt burrit, pasi që burri ka trashëgimi nga familja e tij.
Pabarazia mund të haset edhe në zgjedhjen e profesionit. Disa punë të caktuara janë pothuajse të ndaluara për gratë, kështu duke bërë ndarje të punëve në bazë të gjinisë.
Por në raste ekstreme, gruaja nuk lejohet të punoi në profesionin e saj sepse duhet të kujdeset për fëmijët dhe shtëpinë. Por në të njëjtën kohë, edhe burrat apo djemtë hezitojnë të kryejnë punë të caktuara, duke mos marrë në konsideratë fare dëshirën apo talentin për atë punë dhe vetëm për arsye të mentalitetit të shoqërisë sonë.
Pra si përfundim pabarazia gjinore është luftuar gjithmonë dhe vazhdon të luftohet, por për të vërejtur rezultat më të theksuar, duhet që të kemi një edukatë të shëndoshë që në fëmijëri, nga familja, e duke u zgjeruar kështu edhe në shoqëri. /KultPlus.com

Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë.