Hapet Xhamia pranë Fakultetit të Shkencave Islame

Më 12 dhjetor, 2019, u hap solemnisht Xhamia pranë Fakultetit të Shkencave Islame (FSHI) në Kondovë (Shkup). Ishin të pranishëm: Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, Dekani i FSHI prof. dr. Shaban Sulejmani, Drejtori i Medresesë Isa Beu prof. Ibrahim ef. Idrizi, Kryetari i Kuvendit të BFI-së, myftilerët e Myftinive të BFI-së, studentë e nxënës dhe të ftuar të tjerë.
Manifestimi filloi me një ashere të kënduar nga studenti Ismet Selimi, ndërsa moderator ishte Ismet ef. Ademi, përgjegjës i BFI-së për bashkëpunim me Arabinë Saudite. Dekan i parë i FSHI-së, tha Ismet ef. Ademi, ka qenë Kryetari aktual i BFI-së, Sulejman ef. Rexhepi, kontributi i të cilit në ndërtimin e kësaj xhamie është i jashtëzakonshëm. Këtë – tha ai – Reisi e ka bërë duke pasur për moto hadithin e pejgamberit tonë, Muhamedit (a. s.): “Kush ndërton një xhami për hir të Allahut, Allahu do t’i ndërtojë atij një shtëpi në Xhenet.”
Kontribuese kryesore në ndërtimin e Xhamisë pranë FSHI-së, tha Ismet ef. Ademi, janë dy gratë nga Arabia Saudite: Meha el Harbij dhe Sijteh el Harbij, hoxha i Kondovës Nevzat Ahmeti dhe më shumë donatorë.
Në fjalën e tij përshëndetëse Dekani i FSHI-së, prof. dr. Shaban Sulejmani, u shpreh i kënaqur për përfundimin e punëve në ndërtimin e Shtëpisë së Zotit, e cila si faltore do të shërbejë për studentët dhe profesorët e Fakultetit, por dhe për çdo xhematli të këtyre anëve.
Vëmendjen e të pranishmëve e tërhoqi fjala e Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, i cili tha se Xhamia pranë FSHI-së është e vogël, por shumë e bukur dhe ajo është ndërtuar mbi bazë të planit fillestar kur është hapur Fakulteti i Shkencave Islame në Kondovë. Gjatë kohës së komunizmit – tha Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut – Islami në këto troje i ka duruar të gjitha, por ia ka dalë të mund secilin që nuk ka njohur Zotin përveç librezës së kuqe. Edhe atëherë myslimanët e mirë, myslimanët e devotshëm, kanë ditur t’u shmangen shtrëngesave të kohës dhe të bëjnë namazin, ta zhvillojnë Bashkësinë Fetare dhe Islamin në përgjithësi. Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut – tha ai – edhe sot, në pluralizëm, has në vështirësi, mirëpo ajo kurdo e ka nijetin e pastër: të japë kontributin e vet në zhvillimin e shoqërisë, duke qenë mbi partitë politike dhe këtë bashkëpunim e pret edhe prej shoqërisë dhe shtetit në përgjithësi.
Përurimi i xhamisë “Meha el Harbij dhe Sijteh el Harbij” u mbyll me këndim të Kuranit nga Arijan Fazlia dhe me duanë e bërë nga Myftiu i Myftinisë së Gostivarit, h. Shaqir ef. Fetahu.