Hapi i fundit para hyrjes në përdorim ‘Maqedonia Veriore’ do të luhet këtë javë në parlamentin grek

Protokolli për anëtarësim të Maqedonisë këtë javë do të gjindet para deputetëve grek e me këtë edhe do të mbyllet hapi i fundit ku edhe zyrtarisht pritet të hyjë në përdorim emri i ri Maqedonia Veriore.

Mediat greke shkruajnë se protokolli do të hyjë në procedurë parlamentare në parlamentin grek këtë të martë dhe se deputetët do të votojnë pas disa ditë debate derisa pritet që deri të enjten protokolli të votohet.

Me këtë edhe përmbushet kushti i fundit i Marrëveshjes së Prespës e sipas marrëveshjes ndryshimet kushtetuese në Maqedoni futen në fuqi shtatë ditë pas ratifikimit të protokollit në parlamentin grek.

Me këtë nënkuptohet se fillon dhe procedura për ndryshimin e tabelave në të gjitha institucionet e vendit si dhe tabelat e reja që do të mbajnë emrin e ri të shtetit.

Republika e Maqedonisë Veriore duhet të gjendet edhe në dokumentacionet zyrtare dhe memorandumet dhe shkresat e gjithë institucioneve.