Haxhiu: Kosova nuk do t’i prishë kurrë marrëdhëniet me ShBA-në

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova nuk do t’i prishë kurrë punët me SHBA-në, duke theksuar se ishte qeveria e PAN-it ajo që e kishte vendosur tarifën 100 për qind për mallrat nga Serbia.

Haxhiu thotë se Qeveria Kurti është e vetmja qeveri që ka sjellur një plan për të hequr tarifën, sipas kërkesave të SHBA-së.

“Ndërsa qeveria e zhvillimit dhe e drejtësisë, drejtuar nga kryeministri Albin Kurti është e vetmja që ka prezantuar një plan për ta hequr tarifën, sipas kërkesave të ShBA-së. E vetmja kërkesë e qeverisë Kurti është që edhe Serbia t’i ndalë fushatat agresive dhe masat kundër Kosovës”, shkruan ndër të tjera Haxhiu.

Sipas Haxhiut, Thaçi dhe PAN-i po vazhdojnë politikën e njëjtë, duke pranuar se Kosova vlen më pak se Serbia.

“Në vend që të bashkoheshin në mbështetje të kësaj kërkese dhe në mbështetje të Kosovës, Thaçi dhe PAN po e vazhdojnë politikën e njëjtë, duke pranuar se Kosova vlen m ë pak se Serbia, pra duke e forcuar Serbinë”, thuhet në reagimin e saj.

Postimi i Haxhiut në Facebook:

“Kosova nuk do t’i prishë kurrë marrëdhëniet me ShBA, dhe kryeministri ynë do të jetë faktor bashkëpunimi me aleatin tonë strategjik. Por Thaçi dhe PAN vërtet e kanë sjellë Kosovën në situatë të palakmueshme diplomatike.

Këtë tarifën, që gabimisht menduan se ishte taksë, e ka vendosur pikërisht qeveria e PAN-it.

Dialogun e pabarabartë në Bruksel, ku e normalizuan Serbinë dhe ia përmirësuan imazhin, e ka filluar pikërisht Hashim Thaçi. Tash Thaçi ia ka hapur derën Vuçiqit edhe në Shtëpinë e Bardhë.

Edhe shkëmbimin e territoreve, edhe “zajednicën”, i ka sjellë në tryezë Thaçi, siç u mor vesh edhe nga marrëveshja sekrete që lidhi në 2013.

Ndërsa qeveria e zhvillimit dhe e drejtësisë, drejtuar nga kryeministri Albin Kurti është e vetmja që ka prezantuar një plan për ta hequr tarifën, sipas kërkesave të ShBA-së. E vetmja kërkesë e qeverisë Kurti është që edhe Serbia t’i ndalë fushatat agresive dhe masat kundër Kosovës.

Në vend që të bashkoheshin në mbështetje të kësaj kërkese dhe në mbështetje të Kosovës, Thaçi dhe PAN po e vazhdojnë politikën e njëjtë, duke pranuar se Kosova vlen m ë pak se Serbia, pra duke e forcuar Serbinë”, ka shkruar Haxhiu.

Reagimi i ministres Haxhiu vjen pasi Senatori amerikan, David Perdue ka paralajmëruar mundësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rishqyrtojnë praninë e tyre në Kosovë, në rast se kjo e fundit nuk e heq tarifën prej 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Paralajmërimet e senatorit Perdue janë mbështetur edhe nga i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadori Richard Grenell.

Kryeministrin Kurti e kanë akuzuar edhe subjektet politike opozitare se po i prish marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në, madje kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka kërkuar që për këtë çështje, Kuvendi i Kosovës të mblidhet nesër në një seancë të jashtëzakonshme.