HEROIT BARDHOK BIBA I ËSHTË KËNDUAR KUDO NË KOSOVË

Ismet Sylejmani

E nderuara Marie Biba!

E nderuara motra e Bardhok Bibës!

Të nderuar pjesëtar të familjes së Bardhok Bibës!

I nderuar autor i librit!

Të nderuar të pranishëm Mirditor dhe shtetas të Shqipërisë, të nënës tonë !

Është nderë i veçantë për mua që po mbaj këtë fjalë rasti.

Unë sot kam ardhur nga Prishtina e bashkë me mua është një veprimtar i madh i çështjes kombëtare, shok e bashkëveprimtar imi, drejtues i lartë i luftës ilegale patriotike në Kosovë e vise, që është Bejtullah Tahiri.

Ne në Kosovë jemi rritur e jemi burrëruar, kemi bërë luftë e aktivitet patriotik ilegal për tu bërë të lirë e të pavarur, ashtu siç jemi sot dhe pjesë revelante e aktivitetit tonë, të dashurisë ndaj Atdheut, ka qenë patrioti dhe luftëtari i madh i Atdheut Heroi i Popullit Bardhok Biba.

Nuk ka pasur eveniment familjar e kombëtar në Kosovë, që nuk i është kënduar, e nuk i është bërë jehonë këngës lavdimadhe Xhevahir ka rrit Mirdita siç e përmendi i nderuari!

Ashtu siç e kam thënë në një rast në Rrëshen, edhe sot dua ta përsëris se kënga më madhështore që ka ngjallur gjithcka, që ka nxjerrë në sipërfaqe tërë potencialin e dashurisë ndaj Atdheut, përpos këngës që i është kënduar udhëheqësit Enver Hoxha, është kënga për Bardhok Bibën e cila është kënduar kudo!

Jam shumë i sigurtë, që unë e kam përmendur dhe më parë, e përsëris edhe sot, se përpos në ambientet tona kur Kosova ishte e pushtuar, ajo është kënduar dhe nëpër burgjet e jugosllavisë titiste, në burgjet e republikave jugosllave dhe të burgosurit politik shqiptar janë dënuar në qeli me vite burgu plus, sepse i kanë kënduar Bardhok Bibës.

Prandaj e them me shumë përgjegjësi se Bardhok Biba na ka shoqëruar jo vetëm gjatë kohës që ne ishim të pushtuar, por edhe gjatë kohës së luftës së UÇK-së.

Nuk ka dëshmor të Atdheut tonë, ushtarak e komandant që nuk e ka dashur me gjithë zemër e me gjithë shpirt!

Shpresoj se edhe gjeneratat e ardhshme dhe pasardhësit e tjerë të vazhdojnë që ta duan më shumë se gjithcka atë personalitet madhor që me figurën e personalitetin e tij, popullit e Atdheut i ka dhënë shumë.

Faleminderit

Tiranë, 26 Janar 2020!

(Fjalë rasti e mbajtur në Hitel Tirana në Tiranë, në promovimin e librit “Bardhok Biba dhe MIRDITA”)