Hoxha kosovar: Mos boni tatuzaxhe si artistat tanë, ata janë bo shërbëtor të shejtanit…

Kur flasim për trende, padyshim se në këtë hyjnë edhe tatuazhet, të cilat sidomos viteve të fundit, po praktikohen në masë të madhe në Kosovë.

Nga krijuesit e tyre cilësohen si art në trupin e njeriut, të cilat kanë një kod, një mesazh, emocion e kuptim me vlerë për ata të cilët i bartin, raporton emisioni #gjesi në T7.

Ndonëse për shumëkënd tatuazhet janë art i realizuar në trupin e njeriut, ka të tjerë që ato i konsiderojnë të panevojshme, e madje në fenë islame ato janë një mëkat.

“Kjo kryekëput është haram, haram, haram të cilën e ka ndalu Allahu Pejgamberi i tij, u shpreh ndër tjerash imami i xhamisë në Shipol, Fatmir Latifaj.

Por, Qëndresa Kastrati, e cila punon si financiere në sektorin e organizatave joqeveritare, shprehet se është e drejtë elementare e secilit që të vendosë për trupin e vet, duke mos e ndërlidhur një gjë të tillë me aspektin fetar.

Ajo aktualisht ka tri tatuazhe.

Ndërsa, sipas sociologut Leotrim Sahiti, përmes tatuazheve njerëzit shpërfaqin personalitetin e tyre, shpërfaqin preferencat që kanë ndaj personalitetit të tyre dhe ndaj personave të dashur, por nganjëherë përmes tatuazheve shpërfaqin edhe të kaluarën e tyre dhe atë që kanë përjetuar. Sipas tij, ky trend në Kosovë është në rritje.

Trendi i tatuazheve në Kosovë ka filluar të marrë hov në dekadën e fundit e sidomos te këngëtarët tanë. Dafina Zeqiri, Mozzik, Loredana, Getinjo, Bim Bimma e Fero, janë ndër artistët që kanë më së shumti tatuazhe. Por edhe për këtë imami i xhamisë së Shipolit, Fatmir Latifaj, ka një përgjigje.

“Ne jemi tu jetu në një epokë ku jemi tu u ballafaqu me një situatë ku njerëzit tanë, fëmijët tanë, po na i marrin model të degjeneruarit. Edhe pse ata thirren VIP, VIP, qysh mundet me kon VIP larg rrugës së Zotit, qysh munet me kon VIP argat i dreqit me tatoo, i largum komplet prej rrugës së zotit”, u shpreh ai.

E një prej artistëve që ka disa tatuazhe në trupin e tij është edhe Gold Ag. Ai pikërisht për shkak të aspektit fetar është penduar për vendimin që ka marrë, në kohën, siç e quan ai, të rinisë.

Tatuazhet praktikohen nga gjeneratat e ndryshme dhe shumica prej tyre e cilësojnë si vulë në trupin e tyre.