I arratisuri nga drejtësia thotë se e di kush e sulmoi pronarin e barnatores ‘Rexal’, denoncon në Polici edhe noteren që hartoi kontratën pa prezencën e tij


Krenar Alidema, i cili aktualisht është në arrati, duke iu shmangur vuajtjes së dënimit në shtetin zviceran dhe përballjes me dyshimin në Kosovë për së paku nxitjen e dy personave që t’i vinin flakën barnatores ‘Rexal’ në Prishtinë, është bërë ‘i gjallë’ para dy ditësh, përmes një e-maili të gjatë drejtuar udhëheqësve me sektorët e drejtësisë dhe sigurisë, në të cilin kërkon ndihmë për siç thotë ai, një rast të keqpërdorimit, raporton Gazeta Sinjali.

Në emailin e datës 24 maj, të dërguar nga email adresa krenar.alidema@hotmail.com te ministrja e drejtësisë, drejtori i Policisë, Oda e Noterëve të Kosovës dhe një numër i personave të tjerë, Krenar Alidema pretendon se është viktimë e një keqpërdorimi nga noterja Valbona Murtezi-Bytyqi dhe personat Bekim Maloku dhe Agim Spahiu, keqpërdorim ky që sipas tij po i kushton qindra mijëra euro dëm financiar e emocional.  

Ajo që bie në sy, përveç tjerash në këtë email, është edhe fakti se Alidema pretendon se ka identifikuar sulmuesit e pronarit të barnatores ‘Rexal’, të cilët në mënyrë tinxare e rrahën brutalisht para disa ditësh, përballë barnatores. Sipas tij, personat që qëndrojnë mbrapa këtij sulmi janë Veton dhe Albert Cakolli (vëllezër) nga Prishtina.

Citat nga emaili: “Me datën 22.05.2022 ne ora 02:15 të mëngjesit, persona të maskuar kanë sulmuar brutalisht me shufra vëllanë tim dr. Dashnor Alidema, pronar i barnatores REXALL 2, e cila gjendet ngjitur me lokalin në fjalë. Personit që i hiqet maska nga Dashnor Alidema gjatë sulmit është Veton Cakolli ndërsa personi tjetër më i dobët mendoj se është vëllau i tij më i madh Albert Cakolli (nr tel 048-107-105), të dy njërëz të afërt të Agim Spahiut. Duke e ditur te kaluaren kriminale te Agim Spahiut te cilen mund ta verifikoni edhe ne Polici, unë, së bashku me të gjithë antarët e familjes po ndihemi të kërcënuar për jetët tona.”

Sipas Krenar Alidemës, motivi i sulmit ndaj pronarit të barnatores ‘Rexal’ lidhet me një marrëveshje biznesore, në mes tij dhe personit Bekim Maloku, me të cilin pretendon se në vitin 2020, kishin blerë së bashku një lokal në Prishtinë, në vlerë të 500 mijë eurove.

Citat nga emaili: “Në vitin 2020 kam qenë bashkëblerës i një lokali 58m2 në Prishtinë së bashku me Bekim Malokun ne vlerë 500.000.00€ ku shitës ishte Lulzim dhe Aida Qerkini – të njohur të Bekim Malokut. (Gjeni te bashkangjitur dokumentin). Pagesa ka qenë e ndarë në 2 pjesë nga 250’000€, dhe pjesën time të pagesës prej 250’000€ e kam bërë menjëherë në xhirollogarinë e shitësit të lokalit z.Lulzim Qerkini dhe si dëshmi po i prezantoj edhe dokumentet në vijim.”

Kjo marrëveshje, që sipas tij më vonë është ndryshuar e tjetërsuar në mënyrë të kundërligjshme nga noterja dhe personat e lartpërmendur është sebep i mosmarrëveshjeve dhe kërcënimeve të njëpasnjëshme, që u kulmuan me sulmin ndaj vëllait të tij, pronarit të barnatores.

Citat nga emaili: “Po mundohem ta shpjegoj rastin në detaje: Noterja znj. Valbona Murtezi Bytyqi së bashku me dy persona të njohur të saj Bekim Maloku, me të cilin ka lidhje familjare dhe Agim Spahiu (mbiemrin e meparëshëm ALIU), me nofken ‘Agim Morri i Bregut të Diellit’, kanë organizuar një skemë zhvatjeje në dëm te pasurisë sime. Me datën 14.05.2022 e kuptova se Bekim Maloku, në bashkëpunim me Noteren Valbona Murtezi – Bytyqi dhe Agim Spahiu, ne muajin Shkurt 2022, kishin bërë ndërrimin e bashkëblerësit përmes një aneks kontrate duke e vënë Agim (Aliu) Spahiun në vendin tim përmes Noteres së lartëpërmendur (gjeni te bashkangjitur dokumentin).”

Ky ndryshim i kontratës, sipas Alidemës, është bërë në zyrën e noteres pa prezencën dhe aprovimin e tij, madje as që është njoftuar për këtë ndryshim.

Citat nga emaili: “Unë as nuk kam nënshkruar ndryshimin e kontratës, as nuk jam njoftuar, as nuk kam qenë prezent kur kanë ndodhur të gjitha këto ndërrime. (Si deshmi gjeni te bashkengjitur dokumentin.) Sic shihet me lartë, te lartëpërmendurit po tentojnë të më marrin pronën për të cilën kam paguar 250’000€, për më tepër përmes Noteres duke i shkelur te gjitha procedurat ligjore.

Në këtë email ai ka bashkëlidhur edhe aneks kontratën me të cilën pretendon se i është tjetërsuar kundërligjshëm prona e tij.Dokumenti i bashkëngjitur në email si provëDokumenti i bashkëngjitur në email si provë

Pas këtij denoncimi, Gazeta Sinjali mëson se Krimet Ekonomike tashmë janë angazhuar për të hetuar pretendimet në emailin e  dërguar akterëve të sistemit të drejtësisë dhe konfirmimin e ligjshmërisë së veprimeve të noteres së apostrofuar nga Krenar Alidema.

Para publikimit të këtij artikulli, Sinjali ka tentuar të marrë një deklaratë nga noterja Valbona Murtezi Bytyqi për pretendimet në këtë email, por e njëjta nuk ka qenë e qasshme.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.