Izet Mexhiti: Presim thellim të bashkëpunimit me Republikën e Shqipërisë

Izet Mexhiti, kryetar i Grupit parlamentar për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Shqipërisë, priti në takim znj. Mimi Kodheli, kryetare e Komisionit për Politikë të Jashtme dhe deputetë tjerë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me çrast ka diskutuar për avancimin e bashkëpunimit me Shqipërisë.

Z. Mexhiti ka cekur se përpos zgjerimit të bashkëpunimit parlamentar, ka potencuar se “përpjekjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut për ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal me të gjithë vendet në rajon dhe më gjerë, ndërsa veçanërisht rëndësinë që Republika e Maqedonisë së Veriut e jep për marrëdhëniet bilaterale me Republikën e Shqipërisë”.

Postimi i plotë i z. Mexhiti:

Sot në cilësinë e kryetarit të grupit për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Shqipërisë, takova znj. Mimi Kodheli, kryetare e Komisionit për Politikë të Jashtme dhe deputetë tjerë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Mes tjerash, urova deputetët për zgjedhjen e Shqipërisë anëtare e përkohshme e Këshillit për Siguri. Në periudhë prej dy vjetësh, duke filluar nga 1 janari 2022, Shqipëria si përfaqësuese e grupit të vendeve lindore evropiane, do të jetë një nga pesëmbëdhjetë vendet e trupit të OKB-së për menaxhim me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Në këtë mënyrë Shqipëria do të ketë votën e saj në vendimet e miratuara nga Këshilli për Siguri.
Shpresoj që përmes këtij grupi të deputetëve për bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë të avancohet bashkëpunimi parlamentar ndërmjet dy vendeve tona pasi që dimensioni parlamentar çdoherë mund të ndihmojë në përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në të gjitha sferat. Pres intensifikimin e bashkëpunimit edhe përmes komisioneve parlamentare.
Gjithashtu, në takim theksova përpjekjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut për ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal me të gjithë vendet në rajon dhe më gjerë, ndërsa veçanërisht rëndësinë që Republika e Maqedonisë së Veriut e jep për marrëdhëniet bilaterale me Republikën e Shqipërisë.
IM