Ja sa miliona kushtoi propaganda e Gruevskit, tre televizionet që përfituan?

Mbi 26.6 milionë euro ka kushtuar propaganda e Qeverisë së kaluar të udhëhequr nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, që sot është në arrati, bën të ditur hulumtimi i BIRN. Këto para ishin harxhuar duke iu dhënë televizioneve kombëtare gjatë periudhës prej vitit 2010 deri në 2017. Sipas hulumtimit të BIRN-it, të realizuar sipas bazës së “Financave të hapura”, e cila është aktive nga java e kaluar, pjesa dominuese e kësaj shume, mbi 90%, qeveria i ka dhënë në mënyrë direkte nga buxheti i saj, nga pika “transfere të tjera”, ndërsa ministritë dhe sekretariatet qeveritare kanë kontribuar vetëm me disa përqindje të vogla. 95 përqind e këtyre mjeteve, kanë shkuar për tre televizionet nacionale Sitel, Kanal 5 dhe TV Alfa. “Televizioni Sitel është rekorder absolut, i cili është 10.2 milionë euro gjatë periudhës shtatëvjeçare, ndërsa në vitin 2015 ka marrë më së shumti, 1.8 milionë euro. Kanal 5 është në vendin e dytë me 8.5 milionë, ndërsa TV Alfa është në vendin e tretë me 6.3 milionë euro për shtatë vjet. Të ardhurat e TV Alfa nga qeveria janë rritur dukshëm në vitin 2013, vitin kur televizionin e ka blerë biznesmesi serb Veselin Jevrosimoviq. Nëse ky medium në vitin 2012 ka marrë 275.000 euro, pas ndërrimit të pronësisë ai ka marrë 1.5 milionë euro apo pesëfish më shumë. Rritja e të ardhurave ka shkuar paralelisht me ndryshimin drastik të politikës redaktuese i ndërrimin e ekipit të gazetarëve. Të tre televizionet kanë qenë për vite me radhë grushti kryesor propagandistik i qeverisë i drejtuar nga Nikolla Gruevski”, raporton BIRN përmes një hulumtimi të zhvilluar. Më tej theksohet se dy televizionet e tjera nacionale, Telma dhe Alsat, kanë marrë rreth 859.000 dhe 545.000 euro. Qeveria e LSDM në fillim të mandatit publikoi se, qeveria e kaluar ka shpenzuar 38 milionë euro për fushatë dhe për propagandë në mediat elektronike dhe të shtypura, prej të cilave, 23 milionë janë shpenzuar për “blerje të kohës për reklama në mediat elektronike”.(INA)