Muharremi nga Kamza, për të siguruar jetesën mbledh mbetjet e riciklueshme në kazanet e plehrave. 60-vjeçari këtë e quan punë. Ai thotë që të sigurosh 300 lekë në ditë kërkon mundim të madh. Ky është rasti i një të varfëri i cili jeton nga mirëqenia e fqinjit. Në kazanin e plehrave ai merr edhe ato pak ushqime që gjen aty.


Prej 7 vitesh, çifti i të moshuarve jeton pa drita dhe pa ujë. Ata thonë që kurrë nuk do të kenë mundësi të pagujnë detyrimet ndaj shtetit, pasi të ardhurat e vetme të kësaj familjeje janë ato që siguron Muharremi.

“Ndihmën ekonomike na e dhanë vetëm tre muaj. Kam 8 vjet pa drita, nuk m’i lidhin sepse nuk kam fuqi t’i paguaj sepse i kam 4 milionë lekë borxh shtetit. Jam edhe pa ujë, 7 muaj që mungon. E marrim me kova nëpër komshinj se aq jemi, dy pleq, kjo është jeta jonë”, shprehet Muharremi.
Na dhemb i gjithë trupi, thotë gruja e Muharremit. Pavarësisht situatës së tyre, duket se shteti nuk i ka kthyer kurrë sytë nga familja Halili.