Jim Xhema, Vigani i patriotizmit shqiptar

Jim Xhema, apo Vigani i patriotizmit shqiptar, është i lindur në Tupallë në vitin 1942. Katër klasë të shkollës fillore i kreu në Tupallë dhe katër të tjera në Medvegjë. Shkollën e mesme e filloi në Gjilan dhe e mbaroi në Prishtinë. Në shtator të vitit 1960 ia filloi punës në Svircë, kurse në shkollën e sapo hapur në Tygjec ligjëronte gjuhën frënge (klasën e V-të).

Ka punuar po ashtu, në Tupallë dhe Banjën e Siarinës. Më 1968 ka migruar në SHBA, te axha dr. Hajdar Xhema, i cili ishte drejtor i një klinike në Nju Jork dhe mjek personal i Presidentit të ShBA-së. Regjimin serb nuk mund ta duronte, ashtu si vëllai i tij, dr. Ramadan Xhema dhe vijuan me tërë qenien aktivitet të mirëfilltë kombëtar dhe krijimit të lobit shqiptar.

Jim Xhema, është personifikim i patriotit të shquar, model për gjeneratat që duan dhe ushqejnë dashuri për kombin shqiptar. Ky patriot i shquar, është vigan i patriotizmit, për shumë arsye.

Jeta e tij, e kondensuar me kujtimet e paharrueshme të muhaxhirëve të torturuar nga serbët që nga koha e Perandorisë otomane, ishte bartës i një shprese dhe qëndrese, të marrë me vete, nga Tupalla, në Manhattan.

I lindur në fshatin Tupallë, emblematik për intelektualët e saj, të kësaj krahine shqiptare të mbetur padrejtësisht nën sundimin dhe okupimin serb, do të merrte me vete edhe ndjesinë e hollë të ndikimit, ashtu siç ishte themeluesi i albanologjisë, bashkëfshatari i tij, Akademik Idriz Ajeti, tashmë i ndjerë.

Krenar me origjinën e tij malësore, nga Shkreli i malësisë së Madhe në Medvegjë, do të shtroj një rrugë të panjohur deri atëherë për ndikim në qarqet e vendimmarrjes globale. Do ta jetojë dhimbjen dhe shtypjen që ju bëhej shqiptarëve, nga bota e lirë, nga vendi i gardianëve të lirisë globale, nga Amerika.

I mbrujtur me traditën më fisnike shqiptare për punë me përkushtim, për besë dhe besnikëri, për vepra të mëdha në shërbim të të tjerëve, do të vërë tërë qenien e tij, për çështjen shqiptare, çështjen e Kosovës në veçanti.

Ai do ta ndjej nga Amerika, zemrën e rinisë së Kosovës dhe viseve tjera shqiptare në ish Jugosllavi, si vlonte për liri. Ai e ndjente shtypjen e rinisë, burgosjen dhe torturën që ushtrohej ndaj asaj rinie më përparimtare kombëtare, dhe këtë shqetësim të thellë, do ta shtronte në nivelet ku shqiptarët nuk kishin shkelur. Ai do ta çonte lajmin për të vërtetën e Kosovës në kancelaritë e kongresmenëve e senatorëve, së bashku me patriotët tjerë, deri në Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Ai do ta thotë të vërtetën për lirinë e Kosovës. Ai do ta thotë të vërtetën për çlirimin e Kosovës. Ai do të jetë flamurtar i Kosovës dhe interesave të kombit shqiptar. Kur Presidenti Wilson, garantoi se Shqipëria do të ekzistojë, ashtu u bë!

Kur Presidenti George H.W. Bush, më 25 dhjetor 1992, e vizatoi “Vijën e kuqe”, ashtu u bë! Për të ardhur te kjo vijë, u kujdes Vigani i patriotizmit shqiptar, Jim Xhema. Kjo vijë e kuqe, ishte vijim i angazhimit të Jim Xhemës, për të drejtat e shqiptarëve në ish Jugosllavi pas vitit historik të fillimit të rezistencës në rrugë, më 1981. Ai nuk do të ndalej.

Do të thurte miqësi të cilat i shërbyen kombit. Ai do të jetë, fryma çlirimtare e kombit, sepse, perdja e hekurt po binte dhe diktatura jugosllave po bëhej gjithë e më e dukshme. Këtë perde ndaj realitetit të hidhur për shqiptarët, do ta hiqte, kush tjetër pos vigani i patriotizmit, duke u kujdesur që nëpërmjet personaliteteve më të shquara të demokracisë dhe lirisë amerikane. Bob Dole, nga Kansas dhe Senatori Mitch McConnell nga shteti Kentucky, Eliot Engel, Christopher Hyland dhe Alice Walton dhe personalitete tjera të shquara, do të jenë miqtë e afërt, nga do të ndikonte së bashku me Viganin tjetër të çështjes shqiptare, Joe DioGuardi. Lehtas arrijnë idetë e çështjes shqiptare dhe asaj të Kosovës në veçanti, në Kongresin Amerikan dhe Senatin Amerikan.

Ndikimi i tij, do të jetë në të dy krahët, edhe me George H.W. Bush, George W. Bush si dhe mikun e paharrueshëm të shqiptarëve, Bill dhe Hilary Clinton.

Jim Xhema, do të radhiste sukseset e ndikimit duke krahasuar atë me ndikim me lobin izraelit, si më i fuqishmi në Amerikë. Ai, nuk do të ndalej, duke rikonfirmuar të drejtën e Kosovës për të qenë e lirë, për të qenë shtet i pavarur. Ashtu u bë.

Jim Xhema nga Tupalla e Medvegjës, vigani i shqiptarëve në Amerikë, me gjysmë shekulli veprimtari kombëtare, gjunjëzoi Serbinë e Millosheviqit, është përkufizimi i një jete të viganit të patriotizmit shqiptar.

Ai do të renditej krahas vëllezërve e motrave shqiptare që në demonstratën e vitit 1976, të përkrahur nga Bob Dole, si nismë e një miqësie shqiptare-amerikane që më nuk do të shkëputej.

Do veçuar edhe rezoluta e sponsorizuar nga Bob Dole e 7 shkurtit 1992 në Senatin Amerikan, kur senatorët Alfons D’Amato, Robert Dole dhe Clayborne Pell paraqesin një rezolutë për Kosovën me titull “Rezolutë për popullatën shqiptare në ish Republikën Jugosllave” ku kërkohet “inkuadrimi i menjëhershëm i përfaqësuesit të Kosovës në Konferencën Paqësore të Bashkësisë Evropiane.

Po ashtu, me rëndësi ishte Vendimi i Senatit Amerikan më 1 tetor 1992 që t’i akordojë Kosovës një ndihmë humanitare me vlerë 5 deri në 8 milionë dollarë, në ndihmë të popullsisë së uritur, që i nënshtrohen represionit dhe gjendjes së jashtëzakonshme që pat vendosur Serbia. Senatori Dole dhe Claiborne Pell ishin ata që paraqitën amendamentin, për të ndarë për Kosovën një fond të tillë nga ndihma që ShBA u ndan çdo vjet shumë vendeve në botë. Këto rezoluta dhe vendime, shquhen për ngritjen e çështjes së Kosovës dhe subjektivitetit të saj në skenën ndrëkombëtare.

Ai nuk do të ndalej, i njohur dhe mirënjohur për investime marramendëse, duke mos kursyer kur bëhej demonstratë, memorje, takime e festa, lobimi për politikanët e shquar amerikanë që me vendosmëri mbronin shqiptarët në Kosovë, Luginë të Preshevës, Maqedoni dhe Mal të Zi.

Jim Xhema, do të merrte pjesë aktive në krijimin e iniciativave jetike për ekzistencën e shqiptarëve në Kosovë dhe trojet tjera të veta. Do t’i ofronte përkrahje pa rezervë, duke hapur dyert për takimet e para të delegacioneve të shqiptarëve nga ish Jugosllavia në Kongres dhe Senat, duke hapur dyert për kreatorin e lëvizjes paqësore, Ibrahim Rugovën dhe përkushtim të veçantë me kongresmenë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Jim Xhema, me forcën e tij morale e financiare, do të kontribuonte përtej çdo imagjinate, duke e bërë popullin shqiptar partner të përjetshëm me ShBA-në si garanci e rrugës së drejtë për liri. Ai do të shkrinte akullin që kishte ngritur ish Jugosllavia kundër shqiptarëve, duke gjetur mbështetje të pakursyer nga miqtë e tij për ta fituar me diplomaci së pari dhe duke kaluar me përgjigje të armatosur, për ta aftësuar dhe ndihmuar për çlirim. Ide, të cilat i jetësoi vigani i patriotizmit. Kjo vepër madhe, ka një burim të pashtershëm, nga vigani i patriotizmit shqiptar.

Me të, çështja e Kosovës dhe ajo shqiptare, u vunë në agjendat e politikanëve më me ndikim te dy krahët, për demokratë dhe republikan, në ShBA, duke marrë simpatinë dhe mbrojtjen e pakursyer, deri në çlirimin e Kosovës.

Ai kurrë nuk do të ndalet së menduari për çështjen kombëtare, që nga vitet ’80 e deri pas çlirimit të Kosovës, për të cilën kontribuoi në aspektin material dhe intelektual, përjetësisht u bë vigan i patriotizmit shqiptar. Ai, edhe sot, së fundit kur vizitoi trojet shqiptare, i brengosur thellë me zhvillimet, kërkoi bashkim në mes të oponentëve politik, për të mirën kombëtare. Dihet, as Amerika nuk e do një popull të përçarë.

Përpjekjet dhe luftërat shekullore më në fund, u kurorëzuan me pavarësinë e Kosovës, duke ndryshuar kështu përgjithmonë, historinë e kombit shqiptar, duke e lidhur fort, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me të drejtë, Kosova sot është shteti më pro amerikan në botë. Këtë Kosova kurrë nuk do ta harroj, si kontribut të Jim Xhemës.

Komuniteti shqiptaro-amerikan, nuk mund të imagjinohet pa Jim Xhemën që pas “Letrës së Krishtlindjeve”, të George H.W. Bush, kur ia bëri me dije kriminelit Millosheviq një term të panjohur për të- “Vijën e kuqe”, do të ndikoj edhe te administrata e Presidentit demokrat Bill Clinton i cili bindi NATO-n dhe urdhëroi bombardimin e Serbisë e deri tek republikani George W. Bush, njëri prej meritorëve të pavarësisë së Kosovës, kur nga Tiranë vijoi ta rrumbullakonte “vijën e kuqe” të babait, me thënien historike, “mjaft është mjaftë, Kosova duhet të jetë e pavarur”.

Kur Kosova hyri në agjendën e mbrojtjes si “interes amerikan”, e përshkruar me Letrën e Krishtlindjeve për “vijën e kuqe”, politika amerikane, këtë doktrinë, kurrë nuk e hoqi nga agjendat dhe tavolinat e punës, qoftë në Shtëpinë e Bardhë, Kongresin apo Senatin Amerikan. Kjo meritë, ishte e viganit të patriotizmit, Jim Xhema, e nxitur nga miqësia e tij me Bob Dole, i cili ia hapi dyert çështjes shqiptare në Shtëpi të Bardhë, media por edhe në qarqet e ndikimit global.

Merita e Viganit të patriotizmit, mund të mësohet nga ish ambasadori amerikan Richard Holbrooke, në një takim që pati me shqiptarët në Nju Jork, pas luftës çlirimtare të Kosovës, e tha fare qartë: Po të mos ishte Bob Dole, bombat e NATO-s nuk do të binin mbi Serbi. Bob Dole, ishte miku më i ngushtë i Jim Xhemës, pra, bombat e NATO-s, kishin një kreator me lobim mbi 40 vjet për çështjen e Kosovës në ShBA që do të rezultonte me 24 Marsin e vitit 1999, me fillimin e bombardimeve ndaj caqeve ushtarake serbe që kryenin gjenocid.

Jim Xhema në historinë e lidhjeve shqiptare-amerikane, do të shkëlqejnë dhe mbesin histori e lavdishme e viganit të patriotizmit shqiptar, i cili në çdo kohë, i kishte të hapura dyert e Shtëpisë së Bardhë, këtij monumenti të garancisë së lirisë së shqiptarëve, e filluar nga Presidenti Wilson, e deri te George H.W. Bush, Bill Clinton, George W. Bush e deri sot. Kultura e tij prej nacionalisti, nuk do t’i dallonte krahët e politikës amerikane, demokratë e republikanë, për çështjen shqiptare. Ky dimension i gjithëpërfshirjes së Jim Xhemës, është tipar dallues se ai kishte vetëm një qëllim, interesin nacional të shqiptarëve dhe në veçanti të Kosovës.

Jim Xhema nuk ishte vetëm në tërë këtë veprimtari kolosale për çështjen shqiptare, aty ishte edhe Jozef DioGuard, Prof. Sami Repishti, Dr. Ramadan Xhema, Mehdi Hajdari, Bruno Selimaj, Shaqir Gashi, Hajdar (Harry) Bajraktari, Osman Osmani, Din Derti, Sadik Kryeziu, e shumë e shumë të tjerë.

Dr. Ramadan Xhema, vëllai i Jim Xhemës, kurrë nuk i ndahej aktiviteteve patriotike të vëllait. Ai, po ashtu, shkollën fillore e kreu në Medvegjë, ndërsa gjimnazin në Prishtinë, për t’u transferuar në Normalen e Gjakovës. Pasi punoi mësues në Prishtinë regjistroi mjekësinë në Rijekë të Kroacisë. Për aktivitetin e tij atdhetar, si student i vitit të dytë burgoset nga organet e policisë. I lidhur në pranga të policisë, rrugës për në Leskoc kërcen nga treni dhe kështu i ikë policisë. Akuza kundër tij ishte “Aktivist i Shqipërisë së Madhe”.

Në vitin 1980, së bashku me motrën, Dr. Ramadani arrin në SHBA, ku i priste vigani i patriotizmit, Jim Xhema, tashmë, një mik i pandashëm i miqve të kombit shqiptar. Miqtë e tij të afërt dhe njohësit e jetës së tij, konstatojnë se jeta e tij ka qenë Kosova dhe interesi i kombit shqiptar. Më 8 janar 2016 në Shoqatën e Ish të Burgosurve Politikë në Prishtinë, Dr. Ramadanit, iu dha mirënjohja: Veprimtar i shquar i çështjes kombëtare.

Puna e jashtëzakonshme e Jim Xhemës, konfirmohet edhe nga kompania e tij e ngritur me mund dhe sakrificë personale dhe familjare, kontribuoi që çështja shqiptare, të marrë dimension global. Kosova, të bëhej shteti më i ri në Evropë, duke e përjetësuar lavdinë, si vigan i patriotizmit shqiptar.

Si kontribuues i jashtëzakonshëm që jetën e veprën e tij e bëjnë vigane, është dhurimi për interesa madhore, si donacioni prej 100 mijë dollarëve për Katedralen e Prishtinës, si shenjë nderimi për miqtë e tij dhe patriotët që kurrë nuk i ndau feja, krahina, as ideja.

Mjafton të lexohet maksima e kompanisë së tij, “Për të ndërtuar përtej kompromisit. Ndonjëherë kjo do të thotë të jesh në biznesin e pamundur”, ia hapi dyert e suksesit, si një nga shtatë ndërtuesit më të mirë të shtëpive luksoze në Amerikë. Kjo, i dha dimension të veçantë në kulturën e vendit mikpritës dhe vendit të mundësive, për të dhe familjen, por prosperitet dhe vend të ri në histori për tërë një komb, duke e afruar dhe lidhur përjetësisht me Amerikën, vlerat dhe idealet e përbashkëta.

Sot, kushdo që do të marrë mundimin të shkruaj për suksesin e çështjes shqiptare në Amerikë, do të ndeshet me jetën dhe veprën e viganit të patriotizmit shqiptar, emrin e Jim Xhemës, si shembull i përkushtimit, atdhetarizmit, sakrificës dhe investimit financiar për çështjen kombëtare shqiptare.

Shkruajti:

Gjylfije Halili