Ka filluar ndërtimi i xhamisë së re në Lubin

Është vënë guri i themelit i xhamisë së re në fshatin Lubin, komuna e Sarajit, pjesë e Myftinisë së Shkupit. Më 23 janar, 2020, në nisjen e xhamisë, kanë qenë të pranishëm: Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, myftiu i Shkupit dr. Qenan ef. Ismaili, i Tetovës prof. dr. Qani ef. Nesimi, i Gostivarit h. Shaqir ef. Fetahu, i Kumanovës h. Abedin ef. Imeri, i Strugës h. Salim ef. Sulejmani, i Kërçovës h. Murat ef. Huseini, i Shtipit (me Maqedoninë lindore të Veriut) mr. Nasir ef. Rexhepi, dekani i FSHI prof. dr. Shaban Sulejmani, drejtori i Medresesë Isa Beu Ibrahim Idrizi, Kryetari i Komunës së Sarajit Blerim Bexheti, zv/Kryetari i Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare Fadil Ramadani, kryetari i OH “Hilal” Mustafa ef. Dauti, kryetari i Shoqatës së Ulemave Rexhep ef. Ziberi, hoxhallarë të rajonit dhe të ftuar të tjerë.
Manifestimi ka filluar me një ashere nga hoxha Iljas Veseli, ndërsa me fjalë rasti në emër të Këshillit iniciues është paraqitur Nehat Beqiri. Fjalë përshëndetëse kanë pasur myftiu i Shkupit, Qenan ef. Ismaili, dhe Kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti – si nikoqirë shpirtërorë dhe administrativë.
-Paqja, begatitë, të mirat, ndihma, forca e Allahut të jenë gjithmonë me ne – ka thënë Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, në hedhjen e themeleve të xhamisë së tretë në këtë lokalitet të banuar me shqiptarë dhe boshnjakë. Këtë ditë ai e ka quajtur ditë gëzimi, një kënaqësi të veçantë për BFI-në, duke bërë apel për të gjithë në Maqedoninë e Veriut, siç ka thënë, që të jenë solidarë me vëllezërit e tyre në Lubin që xhamia me ndihmën e Zotit shumë shpejt të ndërtohet.
Në vazhdim Kryetari Sulejman ef. Rexhepi ka përmendur Pejgamberin islam, Muhamedin (a. s.), i cili ka thënë: “Xhamitë janë bahçe të Xhenetit.” Prej sot – ka nënvizuar Kreu i myslimanëve të Maqedonisë së Veriut – kjo tokë është një prej bahçeve të Xhenetit dhe uroj që sa më shpejt Xhamia të ndërtohet dhe të vihet në përdorim publik.
Në BFI bëjnë të ditur që dr. Muhamed el Metrudi është një prej sponsorëve, i cili ka dhënë një shumë të konsiderueshme mjetesh për ndërtimin e xhamisë në Lubin dhe janë optimistë se donacionit të tij do t’i shtohen edhe plot të tjerë.
Duanë e fillimit të punës në xhaminë e re të Lubinit, Shkup, e ka bërë myftiu i Myftinisë së Gostivarit, h. Shaqir ef. Fetahu.