Këta janë ministrat e rinj në Qeverinë teknike

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është votuar përbërja e Qeverisë teknike, në krye me kryeministrin teknik Oliver Spasovski, i cili ka prezantuar anëtarët e Qeverisë teknike, transmeton Portalb.mk.

Gjithsej 101 deputetë votuan ‘për’ formimin e Qeverisë teknike, derisa nuk pati asnjë ‘kundër’ dhe të ‘përmbajtur’.

Gjithashtu në ora 18:00 është paralajmëruar zgjedhja e zv.ministrave, ndërsa në ora 18:30 janë të ftuar në selinë e Presidentit Stevo Pendarovski, në Villa Vodno.

Kryeministër do të jetë Oliver Spasovski, për ministre të Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, për ministër pa resor, zëvendëskryeministri i deritashëm për Çështje Ekonomike, Bujar Osmani, për zëvendëskryeministre për Çështje Ekonomike, Mila Carovska. Për ministër të Brendshëm do të jetë Naqe Çullevin.

Nga LSDM-ja për ministër shtesë të Punëve të Brendshme kanë propozuar, Sllavjanka Petrovska dhe për Punë dhe Politikë Sociale, Sanella Shkrijelj.

Me Marrëveshjen e Përzhinos, në Qeverinë teknike anëtarë duhet të ketë edhe partia opozitare më e madhe në vend, siç është për momentin, VMRO-DPMNE-ja. Nga kjo parti, krahas Çullevit, për ministër i Punës dhe Politikës Sociale kanë propozuar, Rashella Mizrahi, për zëvendësministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Nevenka Stamenkovska Stojkoski dhe për Bujqësi, Cvetan Trifunovski.

“Koha e broçkulla dhe kalkulimeve të rreme ka përfunduar, të gjithë duhet të përkushtohen për të realizuar zgjedhjet korrekte dhe demokratike. VMRO-DPMNE-ja tash duhet të dëshmojë se është për demokraci”, tha Spasovski.

Ai gjithashtu tha se kjo është e rëndësi, sepse duhet të vazhdojë zhvillimi ekonomik, perspektiva euroatlantike, për tërheqjen e investimeve të reja.