Këta janë qentë heronj që nxorrën shqiptarët nga gërmadhat e tërmetit

Rreth 45 persona u shpëtuan nga rrënojat e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit. Kontribut të paçmueshëm për gjetjen e dhjetëra prej tyre dhanë qentë e trajnuar për kërkim-shpëtim.Tanda, Inu, Dharma, Farhana dhe labradori Gizmo janë 5 prej heronjve me katër putra që gjetën shumë fatkeqë nën rrënoja. Ata janë të moshës 3 deri 8 vjeç, pjesë e ekipit kroat me 9 qenë të kërkim-shpëtimit, të cilët erdhën në Shqipëri rreth 10 orë pas rënies së tërmetit me magnitudë 6.4 të shkallës Richter.

Secili prej tyre ka nga një guidë të trajnuar me ta që kur ishin këlyshë, çka do të thotë se programi i trajnimit ka dhjetëra vite që vazhdon.
Shoqata Kroate e Trajnimit të Qenve të Kërkim-Shpëtimit (HOUPP) ka 15 ekipe aktive dhe është pjesë e Organizatës Botërore IRO e trajnuar veçanërisht për kërkime në zonat urbane në rastet e fatkeqësive natyrore. Në Kroaci ka edhe dy organizata të tjera të trajnuara për kërkim-shpëtime në male.

Nash, Bosco, Lobo Grande dhe Jaffa janë ekipi tjetër i heronjve me katër putra. Ata janë pjesë e ekipit zviceran të kërkim-shpëtimit REDOG, që udhëtuan menjëherë gjatë mesditës së 26 nëntorit për të kërkuar për fatkeqët që ishin zënë nën rrënoja në Durrës.
Ekipet e HOUPP dhe REDOG ishin ato që dalluan në punën e vështirë për gjetjen e fatkeqëve të tërmeteve në Durrës dhe Thumanë. Nuhatja e stërvitur e qenëve bënte të mundur identifikimin dhe lokalizimin e fatkeqëve. Falë tyre aksioni i kërkim-shpëtimit përqendrohej aty ku duhej. Në këtë mënyrë nuk humbej më shumë kohë.

Shqipëria nuk ka repart të specializuar për kërkim-shpëtim në situata emergjencash dhe aq më shumë ekipe me qenë të trajnuar. Ardhja e skuadrave HOUPP dhe REDOG ndikoi që bilanci i viktimave të mos ishte edhe më shumë i rëndë.