Kirurgët e QKUK’së i lanë zemrën e hapur pacientit dhe filluan të grushtohen mes vete

Po kryenin një operacion të rëndësishëm në zemër po dy kardiokirurgët në Klinikën e Kirurgjisë në QKUK ndërprenë për disa momente operimin për t’u rrahur.

Bëhet fjalë për shefin e këtij reparti, Adem Grbolar dhe specializantin, Endrit Shala të cilët raportohet se gjatë operacionit u përfshinë në një konflikt fizik.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Reporterin se rastin tashmë është duke u hetuar.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke ndërmarrë veprime hetimore për sqarimin e kësaj çështjeje penale”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj për Reporteri.net.

Ndërkohë në QKUK kanë thënë shkurt për T7 se po pranojnë informatat për rastin dhe pastaj do të ndërmarrin masat e nevojshme. Një nga kolegët e doktorëve të përfshirë në këtë rast, Leonard Bytyqi ka dhënë detaje për konfliktin. Sipas tij ngjarja ka ndodhur për shkak se specializanti, Endrit Shala nuk ka respektuar hierarkinë e institucionit dhe vendimet e shefit të repartit.

Rasti për rrahjen e dy kirurgëve e ka konfirmuar dje dhe Policia e Kosovës.

“Sot rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën për një mosmarrëveshje në QKUK mes dy personave. Rasti është në fazën fillestare të intervistimeve dhe me të po merren njësitet policore kompetente të stacionit jugu në Prishtinë”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.