Koalicioni opozitar shqiptar, i pamundur

Koalicioni trepalësh ASH-BESA-Alternativa tanimë duket i pamundur. Në tavolinë mbetet opsioni i bashkimit të dy partive opozitare shqiptare – ASH dhe BESA. Nga ana tjetër, Alternativa dhe PDSH e Thaçit kërkojnë shteg për të hyrë në koalicion me LSDM-në. Ndërkohë që partia e Zaevit thotë se është e hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë politike shqiptare, përjashtuar BDI-në

Destan JONUZI

Shkup, 8 janar – Koalicioni i dy partive opozitare shqiptare, Aleancës për Shqiptarët (ASH) dhe Lëvizjes BESA dhe partisë minore në pushtet Alternativa, ndonëse deri dje dukej real, megjithatë sot – ai është i pamundur. Pas shkrimit të gazetës KOHA se sekretari i Alternativës, Skender Rexhepi Zejd ka refuzuar të ulet në një takim trepalësh me dy partitë opozitare dhe se kjo parti zhvillon bisedime permanente edhe me LSDM-në, kanë qenë pikërisht eksponentë të kësaj partie që kanë verifikuar lajmin tonë. Sekretari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka qenë kategorik duke thënë se partia e tij nuk ulet në një tavolinë me BESËN e Kasamit, me çka pamundësohet krijimi i koalicionit trepalësh.

“E vërteta është se ne kemi negociuar vetëm me Aleancën dhe me asnjë parti tjetër, as shqiptare dhe as maqedonase dhe kemi shfaqur gatishmëri të merremi vesh me Aleancën që të shkojmë bashkë në zgjedhje të parakohshme. E vërteta tjetër është se ne kemi thënë së nuk do të bashkëpunojmë në asnjë rast me BDI-në dhe filialet e saja të cilat ju i përmendet. Për mua, pos Aleancës për Shqiptarët, të gjitha partitë tjera shqiptare janë filiale të BDI-së”, ka deklaruar Zeqirija Ibrahimi nga Alternativa.

Informacionet tona paraprake thonë se zvarritja e konkretizimit të koalicionit trepalësh: ASH-BESA-Alternativa, zanafillën e ka te eksponentë të caktuar të partisë së Gashit, e thotë edhe sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha.

“Pasi që iniciatori i koalicionit trepalësh është Aleanca për Shqiptarët ndërsa ne si Lëvizje BESA kemi pranuar të ulemi të bisedojmë të tre partitë, duhet ASH t’i tregojë opinionit publik arsyet pse Alternativa nuk pranon bisedimet trepalëshe”, deklaroi Hoxha. Ndërkohë, që parimit të shfaqur publikisht për koalicion trepalësh ende i qëndron prapa ASH e Ziadin Selës, edhe pse Alternativa hapur e thotë se nuk do ulet me të treja partitë. Nga ASH për KOHA thonë se për të arritur këtë qëllim, ka pasur takime me kreun e BESËS dhe Alternativës, por ato kanë qenë të realizuar veç e veç. “Ka pasur takime me kreun e BESËS dhe Alternativës, dhe jemi të interesuar që ta jetësojmë koalicionin parazgjedhor sa me parë. Jemi maksimalisht të përkushtuar që kjo të ndodh. Takimet deri tani janë realizuar veç e veç, në atë moment që do të kemi sinkronizim të qëndrimeve për ta krijuar një koalicion të tillë, kuptohet do të insistojmë në takim të përbashkët mes grupeve ose liderëve të tre subjekteve politike ASH, BESA dhe Alternativa. Tek ne ka vullnet dhe gatishmëri të plotë, për koalicion trepalësh… shpresojmë që ky vullnet i mirë të jetë edhe tek dy subjektet tjera”, deklaroi Flakron Bexheti nga ASH.

Nga ana tjetër, derisa po kalkulojnë dy partitë opozitare shqiptare, ka zëra se Alternativa e Gashit po zhvillon negociata me LSDM-në. Edhe pse Zeqirija Ibrahimi dhe Muhamed Zeqiri nga LSDM-ja për këto informacione thonë se nuk janë të vërteta, ndryshe ka thënë Skender Rexhepi-Zejdi kohë më parë në emisionin “Click Plus”. Ai ka deklaruar se Alternativa ka marrë ofertë për koalicion nga LSDM-ja. Me LSDM-në për koalicion po bisedon edhe PDSH-ja. Kreu i kësaj partie Menduh Thaçi, është shprehur edhe njëherë publikisht se është i gatshëm të bëjë koalicion me LSDM-në, por kësaj here pas debatit të krijuar në opinion se me këtë veprim po i largohet gjenezës dhe prefiksit kombëtar të partisë së tij, ai ka vënë dy kushte për koalicion LSDM-së. “Kushti i parë është që BDI të mos jetë pjesë e qeverisjes së ardhshme dhe kushti i dytë është që kryetari i PDSH-së të jetë zëvendëskryeministër dhe të ketë vetëm një zëvendëskryeministër”, deklaroi Thaçi.

Pas këtyre dy kushteve të Thaçit, nga LSDM e Zoran Zaevit thonë se mbeten të hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë shqiptare, me përjashtim të BDI-së. “Nuk mund të bisedohet me dikë që ka vendosur të dalë e vetme në zgjedhje! Për momentin është herët dhe ende nuk kemi filluar çfarëdo qoftë bisedimesh me asnjë parti dhe nuk ka asgjë konkrete në drejtim të koalicioneve të mundshme. Deklaratën e kreut të PDSH e shohim si pozicionim te tyre para bisedimeve eventuale për ndonjë bashkëpunim të mundshëm parazgjedhor”, ka deklaruar nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri. Ndërkohë, nga BDI e Ali Ahmetit nuk kanë dashur të komentojnë zhvillimet brenda opozitës shqiptare, por as kushtet e Thaçit për koalicion me LSDM-në.

“Politikat e BDI-së bazohen mbi kontratën e bërë me qytetarin shqiptar si burim i vetëm i legjitimitetit e jo mbi intrigat politike prapa shpinës së qytetarëve”, thonë nga BDI-ja për KOHA. Të gjitha pazaret dhe kalkulimet politike e partiake bëhen në kuadër të zgjedhjeve të planifikuara parlamentare të parakohshme për 12 prill. Tanimë vendi udhëhiqet nga Qeveri dhe kryeministër teknik me pjesëmarrjen edhe të opozitës, ndërkaq që deri më 12 shkurt pritet të shpërbëhet parlamenti dhe të shpallen edhe zyrtarisht zgjedhjet e parakohshme parlamentare.