Kolumnë:”Corona nuk është fundi i botës”

Engjëlli që është i caktuar për të marrë shpirtin e njeriut,nuk quhet Corona. Emri i tij është Azrail dhe pa urdhërin e e tij nuk merret shpirti, kurse Azraili i bindet vetëm Zotit dhe zbaton vetëm urdhërat e Zotit!

shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

“Përpjeku dhe lufto, ose ik”, është një reagim normal njerëzor në situatat e rrezikshme në të cilat individi kërkon të mbijetojë.Varet nga karkteri i secilit prej neve cilin opsion për të mbijetuar do e zgjedh.
Në këto ditë të izolimit të përgjithshëm në të cilat jemi të vërshuar me informata të nduarnduarta që bëjnë fjalë për përqindje infektimesh e vdekjesh, me raporte që herë të trishtojnë e herë të ngjallin shpresë, ndjenja e frikës nuk është e turpshme sepse është e natyrshme që njeriu të frikësohet nga diçka që mund të shkaktojë vdekje, siç është rasti me Covid 19. Të ndërmarësh masa për të mbrojtur vehten, familjen dhe rrethin është guxim.
Por, nuk është e natyrshme nëse njeriu mbërthehet me mënyra disfunksionale të të menduarit dhe bie në depresion e anksiozitet që pastaj si pasojë e zhytin atë në panik.Sëkëndejmi, në situata krize të përgjithshme siç është kjo që e po e dridh aktualisht botën, është e nevojshme që të gjithë ne të jemi të informuar drejtë dhe nga burime të besueshme, që nëkupton njohtimet zyrtare të Ministrisë të Shëndetit dhe të shtabeve emergjente të formuara enkas për këtë situatë, të epidemiologëve.Poashtu,për të qenë të informuar drejtë, mund të ndjekim kohë pas kohe edhe sajtin e specializuar të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Kaq informim mjafton, sepse të konzumuarit e çdo gjëje që po përhapet nëpër internet sigurisht që e shton anksiozitetin e depresionin. Anipse po jetojmë e po funksionojmë në një situatë të jashtëzakonshme që nënkupton kufizime të shumta, shumë më mirë është t;ju khehemi gjërave të cilat ndoshta patëm filluar t’i anashkalojmë. Pra, të ringjallim komunikimin dhe afërsinë me familjarët tanë, të bisedojmë për gjëra të cilat moti nuk i kemi biseduar, të këshillojmë njëri tjetrin, të dëgjojmë mendimet e atyre që përherë kanë qenë të heshtur dhe të analizojmë frikat e njëri tjetrit. Njëkohësisht, duhet të shfrytëzojmë mundësitë që ofron teknologjia dhe të vazhdojmë të jetojmë jetën tonë sociale në mënyrë virtuale, të dëgjojmë hallet e shokëve dhe t’ua tregojmë atyre hallet tona.
Kjo situatë dhe kjo krizë do prek edhe në situatën tonë ekonomike dhe në raportet ndërnjerëzore, gjë e cila mund të reflektojë seriozisht në raportet mes njerëzve pas përfundimit të krizës. Andaj, në vend se të dëgjojmë pallavra që përhapin shpirtzinjë që në kohë krize të përgjithshme shënjestrojnë ndjenjat tona, duhet të përpiqemi të bëjmë gjithçka që është e mundur për të afërmit tanë, për fqinjtë, për miqtë.Dhe, të mos harojmë se ka njerëz të cilët ndoshta kanë nevojë për ndihmën tonë, andaj të interesohemi për të atillët e të solidarizohemi, të shfrytëzojmë mundësitë e internetit dhe të telefonave që kemi për të qenë pranë atyre që kanë nevojë për ne.
Të gjitha këto po i them sepse janë gjëra qenësore e thelbësore dhe I kundërvihen përhapjes së panikut dhe lajmeve të pavërteta të cilat, nga ana tjetër, paraqesin vepra të dënueshme me të cilat do duhej të merrej shteti që ka për detyrë të na mbrojë nga ato. Por, kur shteti është i preokupuar me një problem tjetër siç është në këtë rast lufta kundër përhapjes të virusit, neve të gjithëve na mbetet që vetë të luftojmë kundër përhapjes së gënjeshtrave që shkaktojnë panik. Ne vetë duhet të detektojmë ata që në atmosferë të rrezikut për jetën tonë përpiqen të promovohen përmes manipulimeve të opinionit.Jo kot njerëzit që veprojnë ashtu janë emëruar si “marketing prostituta”.
Në këtë kontekst, duhet të përkujtojmë se jeta dhe vdekja varen ekskluzivisht nga vullneti i Allahut xh.sh, andaj, ata që besojnë këtë fakt dhe që në numër janë të shumtë ndër ne, nuk guxojnë të bien viktima të panikut sepse ai është një dënim të cilin e sjellë mosbesimi.Njëkohësisht, duhet thënë se bota është e shqetësuar në këtë kohë nga një virus që nuk vie nga Zoti, ai është virus i krijuar nga pakujdesia e njeriut, biles,ekzistojnë mendime që ai është krijuar artificialisht.
Ndërkohë,numri i të infektuarve po shtohet dhe vendi po shkon drejtë kurbës (lakores) që po pritet në dy javët e ardhme. Nëse numri i të infektuarve në këtë periudhë shtohet shumë, është e sigurtë që organet kompetente do ndërmarin restrikcione edhe më të repta. Dhe, ne të gjithë do duhet të respektojmë maksimalisht të gjitha ato masa. Pa marrë parasysh qëndrimet dhe orientimet tona politike, ne duhet ti besojmë dhe të mbështetemi te Qeveria dhe masat të cilat ajo po i sjellë përmes institucioneve të veta sepse ashtu po ndodh gjithkund nëpër botë. Dhëntë Zoti t’a tejkalojmë sa më lehtë dhe me më pak humbje të jetëve njerëzore ketë pandemi, mandej do kemi mjaftueshëm kohë t’a kritikojmë edhe Qeverinë edhe politikën, të nxjerrim mllefin e të derdhim frustracionet.
Sot është kohë e një lufte të përgjithshme mbrojtëse dhe ata që s’mund të qëndrojnë në front duhet së paku të shërbejnë si logjistikë.. Lufta të cilën sot po e bëjnë shtetet dhe tërë njerëzimi kundër virusit Corona, nuk është luftë vullnetare, ajo është luftë e detyrueshme, luftë të cilën duhet t’a ndihmojmë e t’a përkrahim të gjithë.
Në pritje të ngadhnjimit të njerëzimit mbi virusin, të shpresojmë që Allahu i Plotfuqishëm do i pranojë lutjet tona. Jo Corona,Kijameti është fundi i botës! Dhe, engjëlli që është i caktuar për të marrë shpirtin e njeriut,nuk quhet Corona, emri i tij është Azrail dhe pa urdhërin e e tij nuk merret shpirti, kurse Azraili i bindet vetëm Zotit dhe zbaton vetëm urdhërat e Zotit!