Komuna Çair fillon shpërndarjen e resurseve higjienike për mbrojtje nga virusi Covid – 19

Në frymën e domosdoshme të transparencës, shtabi i emergjencës i Komunës së Çairit mbaјti online mbledhjen e saj të rradhës për përcaktimin e metodologjisë së shpërndarjes të resurseve të siguruara higjienike për mbrojtje nga virusi Covid – 19. Këto janë konkluzionet e miratuara në mbledhje:

1.Komuna e Çairit do të shpërndajë materialin me maska mbrojtëse dhe dezinfektues në këto institucione: shtëpitë e shëndetit publik, shërbimeve policore të stacionit Bit Pazar, spitalit gjinekologjik, njësive të zjarrëfikjes në Shkup, policisë së komunikacionit rrugor, ambulantave private në territorin e Komunës së Çairit, Kryqit të Kuq Çair, Qendrës Rajonale për menaxhim me kriza – Çair, Institutit për mjekësi të punës – Çair dhe Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim – Çair dhe
2. Në bazë të rekomandimeve nga shtabi qendror, Komuna do të vazhdojë me dezinfektimin e rrugëve kryesore dhe sekondare, dezinfektimin e institucioneve në territorin e saj si dhe dezinfektimin e hyrjeve në banesat kolektive duke vendosur në çdo hyrje edhe dezinfektues.

Menjëherë pas kësaj mbledhje, Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu me anëtaren e shtabit të emergjencës znj. Amella Cana dhe anëtarët tjerë iu qasën zbatimit të vendimeve duke ftuar në Komunën e Çairit zëvendës ministrin e punëve të brenshme z. Agim Nuhiu, komandantin e stacionit policor Bit Pazar z. Enver Selami dhe zëvendës kryeshefin e policisë rrugore për qytetin e Shkupit z. Memedali Muharemi për t’ju shpërndarë shërbimeve policore gjithsej 750 maska mbrojtëse, prej të cilave 500 ju dedikohen policëve të stacionit policor dhe 250 policëve të komunikacionit, si dhe mjete për dezinfektim.