Komuna e Tetovës dërgoi 24 tonë ndihmë për të pësuarit në Shqipëri

Komuna e Tetovës si ndihmë për të pësuarit nga tërmeti në Shqipëri, sot e dërgoi dërgesën e parë me 24 tonë ushqim, mjete higjienike, veshje, batanije dhe gjëra tjera. Pas thirrjes së komunës kjo ndihmë është deponuar në pikën e grumbullimit në qarkun e njësitit zjarrfikës.

“Komuna e Tetovës ka ndarë edhe 25 mijë euro përmes riorganizimit të mjeteve buxhetore. Duke pasur parasysh se kishte interesim të madh të njerëzve hapi pikë për grumbullim të ndihmës humanitare. Përgjigjja e qytetarëve, organizatave dhe firmave, rezultoi me dërgesën e parë prej 24 tonëve, e cila sot niset për në Shqipëri. Konsideruam se sot me këtë do të përfundojmë me aktivitetet e këtilla, por për shkak të interesimit të madh nesër do të kemi edhe një dërgesë me minimum me këto dimensione”, deklaroi kryetarja Teuta Arifi.

Nga Komuna e Tetovës, më saktë nga Njësiti territorial zjarrfikës është dërguar edhe ndihmë profesionale.

“Njësiti zjarrfikës me ekip prej pesë anëtarëve të trajnuar për shpëtues së bashku me mjete për punë dhe pajisje tashmë janë atje dhe shpresojmë se do të ndihmojmë aq sa mundemi që të shpëtohen jetët e njerëzve”, tha Arifi.

Ndihmë për të pësuarit në tërmet në Shqipëri janë mbledhur në mbarë Tetovën edhe në dhjetë lokalitete tjera, si në shesh, treg, në shkolla dhe në Universitete dhe vende tjera. .