Kosova dhe shqiptarët nëse kanë vetëm një mik të vetëm në botë, ai është përtej Atlantikut!

Opinion nga Ramiz Lladrovci

Prania amerikane në çdo konferencë lidhur me Kosovën dhe kombin shqiptar, i jep siguri kombit tonë, na jep shpresë dhe garanci se gardiani i lirisë e demokracisë globale, nuk do të lejojë shantazhin për orekset e superfuqive të vjetra, sikur në shekujt e më parmë.

Të gjitha shtetet evropiane, ndër shekuj, kanë ndjekur interesat e veta, të blloqeve, aleancave, antantave deri te Lufta e Dytë Botërore. Pas kësaj lufte tronditëse, do të krijoheshin dy blloqe, ai i NATO-s dhe tjetri i Varshavës. Edhe Shqipëria, edhe Kosova, ishin nën çadrën e ndikimit rus

Çështja e popujve të vegjël, asnjëherë, nuk u gjenden në agjendat prioritare. Kështu ngjau për 500 vjet, nga okupimi i Perandorisë Otomane, herë duke u trajtuar shqiptarët si popull i shtypur e herë si pjesë e perandorisë shtypëse, por, assesi si temë e shqyrtimit të fatit të ndarë nga fatkeqësitë e mëdha.

Fati ynë, gjendej në peshore, për të barazuar ndikimet. E para të ndalohej dalja në det të ngrohtë, pastaj të bëhej dalja në det mbi kurrizin e shqiptarëve. Lojëra të tilla, ndikuan që barazia e superfuqive qoftë në Berlin, Vjenë, Paris apo Londër, të bëhej në skenë, pa gjasa të pengohej zbatimi i vullnetit kundër popullit të vogël, siç ishim ne shqiptarët.

Por, mrekullia ndodhi. Fati e deshi që Noli të takonte gruan e Presidentit Willson dhe të kërkoj mbrojtjen e Presidentit nga hataja që e priste Shqipërinë në Versajë. Duhet vlerësuar edhe diaspora shqiptare në Amerikë e cila me vendosmëri e mbronte Shqipërinë. Një meritë e ka edhe ambasadori i vetëm në historinë e Amerikës që dha dorëheqje nga pozita e vet, për shkak të dhunës së grekëve e malaziasve kundër shqiptarëve, George Frederick Williams.

Ambasadori amerikan në Greqi e Malin e Zi, George Frederick Williams, do ta informonte Presidentin Willson në detaje me zezonën që kishte kapluar popullin shqiptar dhe Shqipërinë, rrezikun që i kanosej nga Greqia, Jugosllavia e Italia.

Mrekullia ndodhi, edhe pse Presidenti Willson ishte i njohur edhe me detajet e hartës etnike të shqiptarëve në Ballkan, të hartuar nga Shoqata e Gjeografëve Amerikan, nga miku e dashamiri i të vërtetës tonë, Isaiah Bowman. Ai ia prezantoi Presidentit Willson, hartën e shtrirjes së shqiptarëve në Ballkan, disa herë me më shumë hapësirë se sa ishte Shqipëria me kufijtë e përcaktuar në Londër.

Kombi shqiptar, në të gjitha kongreset, të zhvilluara në Evropë për 500 vitet e fundit, doli e dëmtuar. Përjashto Versajën, ku për herë të parë, krah kombit shqiptar doli Presidenti Willson dhe rasti i Rambujesë, ku ShBA-ja luajti po ashtu rrolin pozitiv vendimtar.

Nëse Kosova dhe kombi shqiptar, do të ishte në duar të evropianëve, tokat shqiptare do të dëmtoheshin edhe më shumë, sepse, ekzistonte traditë jo e mirë e copëtimit të vazhdueshëm të tokave shqiptare, sepse do të kënaqeshin si më parë orekset ruse, serbe, greke, malaziase, bullgare e italiane.

Ende në popull tregohet për topat si e goditën Ulqinin nga fregatat e 5 superfuqive për zbatimin e vendimeve të Berlinit, kundër ulqinakëve e malësorëve nga Shkodra, Mirdita, Dibra e Kosova, për t’ia dorëzuar Mali i Zi. Gjëmë të madhe përjetoi Ulqini, këtë e thotë edhe historia, flotat e 5 superfuqive të atëhershme, do të godisnin mbrojtësit e Ulqinit e kudo shfaqej rezistencë ndaj okupatorëve të rinj malazias.

Prandaj, prania amerikane në çdo konferencë lidhur me Kosovën dhe kombin shqiptar, i jep siguri kombit tonë, na jep shpresë dhe garanci se gardiani i lirisë e demokracisë globale, nuk do të lejojë shantazhin për orekset e superfuqive të vjetra, sikur në shekujt e më parmë.

Prandaj, udhën e delegacionit të Republikës së Kosovës në Amerikë, e shoh me gjasë për sukses të sigurt, ashtu sikur u zhvillua Rambujeja, pa ndikimin e plotë e të fuqishëm amerikan, do të riktheheshin skemat e vjetra e të njohura për tragjeditë që ia solli kombit shqiptar, të ndarë në 5 shtete.

Më shumë se kurrë, na duhet uniteti. Kombi ynë, nëse ka vetëm një mik në botë, ai nuk banon në Evropë, ai është përtej Atlantikut.

Këtë na dëshmon historia, këtë na thotë shekulli i shkuar. Atë na tha edhe Noli, kur iu drejtua nënës Shqipëri. Kalkulimet tjera, të aleancave rajonale, kombit tonë nuk i bëjnë nder as dobi, sepse, të gjitha, pa përjashtim, u ushqyen me trojet tona, popullin tonë e shpërngulën në të katër anët e botës. Kjo, është e dukshme, i vetmi shtet në Evropë, në geto.

E ardhmja jonë është Bashkimi Evropian, por, të arriturat tona, i matin me një kuti tjetër nga ai që matën të arriturat e Bjellorusisë, Moldavisë, Rumanisë, Bullgarisë, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjës e vendeve tjera që në shumë fusha janë prapa nesh.