Kosova duhet të dënojë Hamasin i cili po dëmton kauzën palestineze

Të gjithë ata që mundohen t’i fusin reagimet qytetare në një thes, duke ia ngarkuar në shpinë Qeverisë dhe Presidentes, gabohen, për arsye se jo të gjitha shqetësimet qytetare kanë miratimin e kreut shtetëror. Për këtë arsye Kryeministri dhe Presidentja duhet sa më parë të shprehin pa ekuivoke qëndrimin e tyre, duke ndarë shapin nga sheqeri dhe mbi të gjitha duke u solidarizuar me viktimat civile në të dyja anët dhe duke dënuar fuqishëm veprimet  ushtarake dhe luftënxitëse të Hamasit.  Kjo edhe për faktin se Kosova tash më është  pjesë aktive e aleancës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm

Nga Mehmet PRISHTINA

Derisa po e shkruajmë këtë koment, Qeveria dhe Presidentja e Kosovës ende nuk kanë dalur me një qëndrim zyrtar mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme, ndërkohë që avionët izraelitë rifilluan sulmet ajrore në Gaza të shtunën herët dhe militantët e Hamasit u kundërpërgjigjën duke qëlluar me raketa në Izrael. Përplasjet e tyre hynë në natën e pestë, ndërkohë që diplomatët amerikanë dhe arabë kërkuan t’i jepej fund dhunës.
Konflikti filloi të hënën dhe pasoi disa javë tensioni izraelito-palestinez në Jeruzalemin Lindor. Armiqësitë e shtuara, siç njoftojnë agjencitë botërore të lajmeve, arritën kulmin në përleshjet në një vend të shenjtë të nderuar nga myslimanët dhe hebrenjtë. Hamas, grupi militant islamik që sundon Gazën, filloi të lëshonte raketa pasi paralajmëroi Izraelin të tërhiqej nga vendi, duke shkaktuar sulme ajrore hakmarrëse.

Deri tani afro10,000 palestinezë kanë lënë shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar sulmeve.

Ndërkohë një ditë para seancës së Këshillit të Sigurimit, i dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan Joe Biden, Hady Amr, ka mbërritur në Tel Aviv për të diskutuar me dy palët mundësinë e një marrëveshje për armëpushim.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen reagoi për situatën e tensionuar midis Izraelit dhe Palestinës. Ajo tregoi mbështetjen për Izraelin, duke deklaruar se Hamasi ka sulmuar pa kriter. Von der Leyen kërkoi që t’i jepet fund dhunës.

“Shumë e shqetësuar nga situata në Izrael dhe Gaza. Unë dënoj sulmet pa kriter të Hamasit ndaj Izraelit. Civilët nga të gjitha anët duhet të mbrohen. Dhuna duhet të marrë fund tani”, tha Ursula von der Leyen në rrjetet sociale.

Numri i viktimave vijon të jetë në rritje pas përshkallëzimit të dhunës në ditën e pestë të luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit.

Ushtria izraelite pas vendosjes së trupave dhe tankeve pranë kufirit, përdori  artilerinë e rëndë si dhe sulme ajrore . Ndërsa Hamasi në orët e para të mëngjesit lëshoi një tjetër breshëri raketash drejt Izraelit, duke goditur qytetin Ashkelon.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan se rreth 160 sulme ajrore goditën një rrjet tunelesh nën qytetin e Gazës. Bombardimet gjatë natës zgjatën gati 40 minuta, ndërsa u lëshuan 450 raketa . Ushtria tha se ishte goditja më e madhe që nga fillimi i luftimeve.

Tensionet kanë përfshirë edhe Bregun Perëndimor, ku kanë shpërthyer luftime të përgjakshme në disa qytete arabo-hebraike.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden bëri thirrje për të ndaluar dhunën në Lindjen e Mesme.

“Një nga gjërat që kam parë deri më tani është se nuk ka pasur një reagim të dukshëm të tepërt nga Izraeli tha. Çështja është se si ata mund te arrijnë në një pikë ku mund te reduktohen sulmet, veçanërisht goditjet me raketa”, tha Biden.

Edhe sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken përsëriti se sulmet me raketa nga grupet e armatosura palestineze kundër Izraelit duhet të ndalen, ndërsa theksoi se Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten.

Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara njoftoi se do të dielën do të mblidhet për të diskutuar situatën.

Por, çfarë qëndrimi duhet të mbaj kreu shtetëror i Kosovës lidhur me këto zhvillime? Këto ditë kjo pyetje bëhet nga shumë kush – edhe nga ata që janë të sinqert, edhe ata që e kanë me hile.

Në fakt, Prishtina zyrtare qysh para dy vitesh kishte demonstruar një qëndrim të qartë mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke identifikuar Hamasin si organizatë terroriste.

Atë botë ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke marrë parasysh përkushtimin e Republikës së Kosovës që të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe Evropës, si dhe gatishmërinë që të jetë anëtare e denjë e familjes së shteteve paqedashëse në botë, kishte nxjerr dekret që obligon institucionet e sigurisë të krijojnë listën vendore të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, të cilat do i nënshtrohen masave kufizuese në territorin e Republikës së Kosovës.

Deri në krijimin e listës vendore, sipas dekretit të presidentit Thaçi, institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës kishin zbatuar Listën e Bashkimit Evropian të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, e cila ishte rifreskuar më 8 janar 2019.

Institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës obligoheshin që t’i ndërmarrin masat kufizuese përkatëse, në pajtim me praktikat ndërkombëtare, ndaj të gjithë personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në Listën e Bashkimit Evropian. Në këtë listë ndodhej edhe Hamasi.

Si pjesë aktive e aleancës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, Republika e Kosovës kishte marrë zotime se do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë për eliminimin e çfarëdo rreziku që i kanoset Kosovës dhe partnerëve të saj.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, e kanë të trasuar rrugën që duhet të ndjek shteti i Kosovës sa i përket zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Kjo rrugë duhet të jetë në frymën e qëndrimeve të shteteve Perëndimore, por edhe vazhdimësi e qëndrimeve që ka mbajtur politika zyrtare e Kosovës viteve të fundit, sidomos ndaj Hamasit, të cilën  e ka shpallur organizatë terroriste, duke zbatuar Listën e Bashkimit Evropian të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste.

Manifestimet qytetare në Kosovë, që shpesh ndodhin pa ndonjë përgatitje të duhur dhe pa ndonjë agjendë të mirëfilltë, duhet kuptuar si reagime të njerëzve të shqetësuar ndaj pamjeve që vinë nga zonat e përfshira në konfliktin Palestinezo-Izraelit, ku fatkeqësisht ka viktima në të dyja anët. Të gjithë ata që mundohen t’i fusin këto reagime në një thes, duke ia ngarkuar në shpinë Qeverisë dhe Presidentes, gabohen, për arsye se jo të gjitha shqetësimet qytetare kanë miratimin e kreut shtetëror. Për këtë arsye Kryeministri dhe Presidentja duhet sa më pare të shprehin pa ekuivoke qëndrimin e tyre, duke ndarë shapin nga sheqeri dhe mbi të gjitha duke u solidarizuar me viktimat civile në të dyja anët dhe duke dënuar fuqishëm veprimet  ushtarake dhe luftënxitëse të Hamasit. 

Prishtinë, 15 maj, 2021