Kreu i Komunës së Çairit, Visar Ganiu në Forumin Ekonomik dhe të Turizmit Rajonal të UBSHR në Tiranë

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu ka marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së përgjithshme të Unionit të Bashkive Shqiptare në rajon, që po mbahet në Tiranë dhe pjesë e të cilit union është edhe Komuna e Çairit.Në kuadër të këtij evenimenti u mbajt edhe Forumi Ekonomik dhe Turizmi Rajonal, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit e UBSHR-së theks të veçantë vendosën në tematikën Rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe qytetet shqipfolëse, pasuritë kulturore, si dhe ndikimi i tyre në zhvillimin ekonomik-social të qyteteve tona, por gjithashtu u diskutua dhe u këmbyen mendime edhe për “Tirana European Youth Capital 2022”, si një mundësi e zhvillimit, promovimit dhe integrimit të rinisë së rajonit në një platformë të përbashkët turistike, ekonomike, sociale, kulturore për anëtarët e UBSHR-së.Ganiu para pjesëmarrësve në Forum ka potencuar se nuk ka kënaqësi më të madhe kur bukuritë natyrore, veçoritë kulturore, ekonomike, turistike të rajoneve tona i sjellim në një vend të përbashkët.“Kështu ndihmojmë njëri-tjetrin, duke kontribuar në zgjerimin e perspektivës sonë zhvillimore, pasi që gjithmonë duke mbajtur të gjallë kontaktin me njëri-tjetrin, orientojmë edhe investimet përmes turizmit te të gjithë ne”, ka thënë Ganiu.Para të pranishmëve ai ka folur edhe për projektet aktuale dhe të ardhshme që po i ndërmerr Komuna e Çairit dhe që kanë për qëllim pikërisht zhvillimin ekonomik, turistik, social, e kulturor dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.Ndryshe, në Mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Unionit të Bashkësive Shqiptare në Rajon u mor vendimi që kësaj familjeje t’i shtohen edhe Komunat e Gjirokastrës dhe të Bujanocit, ndërsa gjithashtu u vendos të hapen dy zyra plotësuese administrative të sekretariatit të UBSHR-së, në Prishtinë dhe Tetovë.