Kriza e pasaportave, ja kur do të mbërrijnë ekzemplarët e parë

Kriza e pasaportave nuk do të përfundoj në ditën që arrijnë 100 mijë ekzemplarët nga Gjermania. Lista e pritjes së mbi 20 mijë qytetarëve, do të jetë sfidë e re për t’i marrë këto dokumente të udhëtimit. Kjo listë edhe për një muaj pritet të rritet, përderisa rezervat janë kah fundi. Qytetarëve iu ka humbur durimi. Disa thonë se përveç rasteve me prioritet, kanë edhe dëme financiare.“Unë mendoj se janë çështje ditësh pasi do të pranojmë porosinë e parë të pasaportave dhe sigurisht që kabineti im vlerëson se qytetarët, të cilët kanë qenë të hershëm për nga koha do të duhet të jenë edhe të parët- deklaroi për Alsat, zv/ministri i brendshëm, Agim Nuhiu. Ndryshe nga Nuhiu, Ministri teknik Çulev thotë se do të duhet disa javë që të gjithë pasaportat t’iu jepen qytetarëve. Sipas marrëveshjes me kompaninë gjermane “Veridos” pritet që porosia prej 100 mijë ekzemplarëve të arrij më 24 mars. Për të normalizuar ngërçin e krijuar prej tre muajsh, nga Ministria e Brendshme thanë se shërbimet administrative do të punojnë me turne të zgjatura në shtatë ditë të javës.