Kryediplomati grek: Maqedonia e Veriut e zgjodhi rrugën evropiane

Perspektiva evropiane dhe hapja e negociatave për anëtarësim në BE, ishin temat që u diskutuan sot në Bruksel gjatë mëngjesit të punës me miqtë e Maqedonisë së Veriut, i cili u organizua nga Rumania dhe Greqia, ndërsa në të kanë marrë pjesë ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të Unionit. Shefi i diplomacisë greke, Jorgos Katragulos, tha se Maqedonia e Veriut ka dëshmuar se është e hapur për perspektivën evropiane. Duke folur për Marrëveshjen e Prespës, ai tha se të dyja palët dëshirojnë që të zbatohet edhe fryma dhe përmbajtja e marrëveshjes dhe tha se përgjithësisht është i kënaqur nga zbatimi i deritanishëm i saj.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i vendit, Nikolla Dimitrov ka brifuar shefat e diplomacisë evropiane për arritje në drejtim të eurointegrimeve, për zbatimin e Marrëveshjes se Prespës, si dhe për pritjet e përgjithshme sa i përket sjelljes së vendimit për fillim të negociatave qasëse në qershor të këtij viti.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, i cili foli për dinamikën dhe zbatimin e reformave, në përputhje me Planin 18, i cili pasqyron udhëzimet dhe konkludimet e samitit të qershorit të kaluar të Këshillit të BE-së.

Osmani dhe Dimitrov kanë thënë se presin që Këshilli Evropian në qershor të këtij viti të sjell vendim që Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat qasëse për anëtarësim.