KRYEMADHI PËR PADINË E RAMËS NDAJ HARADINAJ: PO NJOLLOSË LUFTËN ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi pati sot një takim me strukturat në qytetin e Korçës.

Gjatë fjalës së saj ajo u shpreh se ky është një nga momentet më të vështira për vendin, në një nga udhëkryqet më të rrezikshme, në mesin e një krize ekonomike shumë të rëndë dhe të një shteti të kolapsuar nga korrupsioni, të marrë nëpër këmbë nga krimi i organizuar, me një qeveri që i përket dhe i shërben një grupi të vogël njerëzish.

“Por me përgjegjësinë për të rikthyer shpresën dhe besimin dhe papajtueshmërinë me të keqen, me bindjen e pa lëkundur në forcën tonë, vitalitetin e shqiptarëve dhe rinisë së mrekullueshme, se kjo gjendje pa asnjë diskutim mund të ndryshohet dhe të rregullohet për të mirën e shqiptarëve.
“Edi Rama ka zgjedhur t’i tradhëtojë interesat e shqiptarëve. Edi Rama ka zgjedhur të tradhëtojë Shqipërinë por të tradhëtojë edhe Kosovën. Pasi dështoi në tentativën e tij të zezë për copëtimin e Kosovës, për llogari të ëndrrës së Serbisë së Madhe, ai po bën çmos të hakmerret ndaj atij që iu bë barrikadë e pakalueshme, fortesë e pa marrshme, digë e pa depërtueshme e ujërave që do përmbytnin ardhmërinë e shtetit të Kosovës, ndaj Komandantit të UÇK dhe Kryeministrit të Kosovës, heroit të gjallë të Kombit shqiptar, zotit Ramush Haradinaj.

Padia e tij groteske, armiqësore nuk ka për qëllim vetëm Ramushin si individ, por përçarjen e Unitetit Kombëtar. Me këtë padi të zezë Edi Rama do të njollosë, jo Ramushin, por luftën për çlirimin e Kosovës, gjakun e të rënëve dhe viktimave të pastrimit etnik serb.

Unë jam e bindur që Ramush Hajradinaj përballë këtij sharlatani antikombëtar nuk ka nevojë për mbrojtjen tonë, se është lufta dhe shërbimet e tij ndaj shtetit të Kosovës, lirisë së saj, gjaku i derdhur për kombin shqiptar, që bëjnë diferencën e madhe, të pakrahasueshme midis të dyve.Por si shqiptare, si politikane e ndjej për detyrë të jem krah Ramushit dhe përballë anti shqiptarit Edi Rama”, tha Kryemadhi.