Kryeministër shqiptar, pse jo?

Mbase, ideja për “KRYEMINISTËR TË PARË SHQIPTAR”, nuk do të duhej të kuptohet si trofe që e bën më të suksesshëm vrapin politik të një partie të vetme. Por, përkundrazi – maratona shqiptare në Maqedoni do ta kishte kuptimin e vet të plotë vetëm nëse garën e tyre me maqedonasit e bëjnë duke listuar edhe këtë objektiv madhor, që është i mundur nëse menaxhohet mirë nga shumë palë, përfshi edhe shoqërinë civile, intelektualët dhe veprimtarët e ndryshëm

Nga Emin AZEMI

Raportet shqiptaro-maqedonase gjithmonë janë diktuar nga rrethanat e brendshme që kanë qenë rezultat i konfigurimeve politik e shoqërore. Por, pas tejkalimit të problemeve e kontesteve të jashtme, fillimisht me Greqinë e pastaj edhe me Bullgarinë, Maqedonia tash do të ballafaqohet me sfidat e brendshme, si rezultat i ideve politike që shqiptarët do t’i plasojnë tash e në të ardhmen.

Ideja për një kryeministër shqiptar gjithsesi e rrit pazarin e këtushëm politik, dhe shqiptarët nga një faktor bashkëqeverisës, kalojnë në faktor drejtues. Në shikim të parë, kjo tingëllon utopike, por ideja në fundament ka faktorizimin e shqiptarëve mbi bazat e vendimmarrjes horizontale, ku ata nuk do të jenë vetëm sa për të plotësuar kuotat e përfaqësimit etnik, por edhe për t’i dhënë substancë shtetformuese pjesëmarrjes së tyre në hierarkinë e pushteteve.

Mënyra si u reagua pas plasimit të kësaj ideje, flet për sasinë e patretur të frustrimit shovinist në shoqërinë maqedonase, e cila deklarativisht ishte proklamuar si “një për të gjithë”, por në realitet nxori prapavijën e falsitetit të këtij slogani populist, ku sërish caktohen dhoma e paradhoma, ku duhet të qëndrojë padroni e ku shërbëtori.

Pati edhe deklarime akademikësh e profesorësh maqedonas, të cilët u ngutën t’i atribuojnë kësaj ideje “përhapje të mosdurimit etnik”, ndërkohë që lideri socialdemokrat (Z.Z) u tregua edhe më i papërmbajtur në budallallëkun e tij teksa tha se, “nëse LSDM i fiton zgjedhjet, unë do të jem kandidat për Kryeministër… dhe nëse BDI ka kushte të tilla për koalicion në Qeveri, atëherë ajo nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme”.
Një politikan që deri dje proklamonte “një shoqëri për të gjithë”, vazhdon të mendoj edhe sot se një shoqëri e tillë është e mundur, por me kusht që vetëm ai të jetë kryeministër. Logjika e thjeshtë këtu përjashton çfarëdo lloj sensi mirëkuptimi, sidomos kur ende përvidhen ide që përcaktojnë linja etnike se deri ku mund të shkojë dominimi maqedonas dhe deri ku nënshtrimi shqiptar.

Një logjikë e tillë madje është edhe në kundërshtim me disa përvoja të mira këtu kur edhe pse nuk mjaftonte kuota a duhur e votave, shqiptarët megjithatë u zgjodhën në disa pozita drejtuese. Mjafton të kemi parasysh disa raste, si bie fjala, kryetar i Parlamentit, kryetari i Federatës së Futbollit, kryetari i Shoqatës së Gazetarëve, apo ai i Shoqatës së Mediave të Shtypura, ku ishte i mjaftueshëm vetëm vullneti i të gjithë, pra edhe i përfaqësuesve maqedonas për t’u zgjedhur shqiptarët në krye të këtyre institucioneve e themelatave.
Pra kur ka mirëkuptim dhe vullnet, gjithçka është e mundur, por tani mungon një rezon elementar për t’u futur në një debat kurajoz ku ardhmëria e këtij shteti nuk do të projektohej vetëm si dëshirë e një etnie.

Ideja “kryeministër shqiptar në Maqedoni” mund t’i ketë behanet eventuale që mund të vinë si rezultat i ngutisë për t’u plasuar në opinionin publik, apo ndonjë behane tjetër, por ajo si e tillë është më domethënëse se vet momenti dhe konteksti lokal, për arsye se kjo ide mund të ketë edhe implikime gjeopolitike, sidomos tani kur ndodhemi në fazën finale të përmbylljes së çështjeve të hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nëse do të dominonte kriteri i përkufizimeve territoriale në bisedimet Prishtinë-Beograd, atëherë ato mund të kenë edhe ndikime të drejtpërdrejta apo të tërthorta edhe në rajon, përfshi edhe Maqedoninë e Veriut.
Nëse bëjmë një retrospektivë të shkurtër, sidomos në një periudhë pak më shumë se njëzetvjeçare, do të kemi vërejtur sigurisht ndryshimin e diskursit publik të një pjese të mendësisë maqedonase (intelektualo-akademike), e cila çfarëdo lloj kërkese normale të shqiptarëve për avancimin e pozitës së tyre, ia ndajshtonin akuzën se shqiptarët po punojnë për “ëndrrën e Shqipërisë së Madhe”, madje duke vizatuar edhe harta imagjinare ku pjesa e shqiptarëve të këtushëm herë i “bashkangjiteshin” Kosovës, e herë Shqipërisë.
Por ngjarjet e më vonshme, sidomos ato të 2001-shit i demantuan këto inkursione të dëmshme propagandistike dhe në pah doli një realitet krejt tjetër.

Ashtu si Marrëveshja e Ohrit që e mbrojti Maqedoninë nga dezintegrimi i brendshëm territorial, njësoj edhe ideja për kryeministër shqiptar mund të amortizojë dukshëm tendencat e mëtutjeshëm të këtij dezentegrimi, ku në instancë të fundit – më të fituar do të dilnin vet maqedonasit si komb, ardhmëria e të cilëve është e siguruar vetëm në një Maqedoni kompakte territorialisht dhe me kryeministër shqiptar.
Sa herë që maqedonasit kanë provuar të qëndrojnë larg shqiptarëve , fati i tyre është vënë në pikëpyetje nga afërsia me fqinjët tjerë, të cilët përpos ambicieve asimiluese, nuk kanë ama bash kurrfarë mirëkuptimi për fragjilitetin kulturor-historik të maqedonasve.

Mbase, ideja për “KRYEMINISTËR TË PARË SHQIPTAR”, nuk do të duhej të kuptohet si trofe që e bën më të suksesshëm vrapin politik të një partie të vetme. Por, përkundrazi – maratona shqiptare në Maqedoni do ta kishte kuptimin e vet të plotë vetëm nëse garën e tyre me maqedonasit e bëjnë duke listuar edhe këtë objektiv madhor, që është i mundur nëse menaxhohet mirë nga shumë palë, përfshi edhe shoqërinë civile, intelektualët dhe veprimtarët e ndryshëm.